Rama: Nuk pranojmë refugjatë! Shqipëria nuk mund të bëhet moçal

Shqipëria

Rama: Nuk pranojmë refugjatë! Shqipëria nuk mund të bëhet moçal

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 00:05
Edi Rama

“Pas Libisë, edhe Shqipëria refuzon ngritjen e kampeve të emigrantëve”, shkruan e përditshmja gjermane “Bild”.

“Planet e Bashkimit Europian për vendosjen e këtyre qendrave në vende të treta po marrin kështu goditje të njëpasnjëshme”, është komenti i gazetës së njohur, që citon kryeministrin Edi Rama të deklarojë “Ne nuk do të pranojmë kurrë kampe emigrantësh”.

I ashpër në komente, shefi i qeverisë shqiptare shprehet se “të kesh qendra të tilla, do të thotë t’i hedhësh njerëzit diku si mbetje toksike, të cilat nuk i do askush”.

Rama thekson se pala shqiptare ka qenë gjithmonë e gatshme për të kontribuar në menaxhimin e barrës së rëndë të Europës. Por, kjo nuk nënkupton – sipas tij, – se vendi duhet të mbajë problemet për të gjithë të tjerët.

“Asnjë shtet nuk e kontrollon dot i vetëm krizën e refugjatëve”, deklaroi Rama për “Bild”, duke shtuar se “ta kthesh Shqipërinë në parapritën e dallgës së azilkërkuesve të Europës do të ishte një zgjidhje e rrezikshme.

“Qendrat nuk do të pranohen as në këmbim të lëshimeve nga BE-ja”, vazhdon gazeta, duke iu referuar komenteve të kryeministrit shqiptar, që shtoi se “nuk ka menduar kurrë të bëjë një gjest heroik për të marrë ‘ok’-in e negociatave në shenjë mirënjohjeje”.

Në fund, kreu i ekzekutivit ka rezervuar edhe disa lëvdata për gjermanët dhe për Kancelaren Angela Merkel, që – siç thotë ai, – me pranimin e refugjatëve në vitin 2015 mbrojti reputacionin e Europës në një mënyrë që do t’i kishte bërë krenarë etërit themelues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat