Si mund të shpëtoni nga pezullimi i lejes së drejtimit, nisma ligjore!

Shqipëria

Si mund të shpëtoni nga pezullimi i lejes së drejtimit, nisma ligjore!

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 07:50
Policia rrugore

Kush paguan dyfishin e gjobës për shkeljen e Kodit Rrugor do të shpëtojë nga pezullimi i patentës.

Kështu parashikon një nismë ligjore propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu. Por, nga projektligji për disa ndryshime në Kodin Rrugorë do të përfitojnë vetëm emigrantët shqiptarë lejedrejtimi të lëshuara nga një shtet i huaj si dhe shtetasit e huaj. 

Ky propozim do të adresojë një problematikë të emigrantëve shqiptarë, shqiptarëve të Kosovës dhe të huajve, të cilët humbasin shumë kohë nëpër hallkat institucioneve pasi u pezullohet patenta.

Nëse Parlamenti miraton ndryshimi, i cili kërkon një shumicë prej 84 votash, kjo kategori mund të evitojnë pezullimin e lejedrejtimit në këmbim të pagesës së një shume që është sa dyfishi i masës administrative maksimale së parashikuar për dispozitën e shkelur. Gjithashtu, duke ndryshuar pikën 3 të nenit 127 të Kodit Rrugor, nuk do të jetë më Institucioni i Prefektit që pezullon lejet e drejtimit të lëshuara nga një shtet i huaj.

“Nga zbatimi në praktikë i pikës 3 të nenit 127 të Kodit Rrugor kanë lindur vështirësi dhe pengesa. Kjo pikë e këtij neni është amenduar edhe në vitin 2011, me ligjin nr. 10488. Por përsëri zbatimi i pikës 3 nuk ka siguruar një normalitet të punës për organet zbatuese të ligjit dhe në mjaft raste janë konstatuar edhe elemente korruptive. Në këto kushte, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar shqetësimet e shtetasve kosovarë, emigrantëve, por dhe shtetasve të huaj, si drejtues mjetesh, që udhëtojnë në një numër shumë të madh në Shqipëri, veçanërisht gjatë periudhës së verës, si dhe dukë marrë në konsideratë faktin që duhet të shmangim hallka të panevojshme institucionale për zbatimin e Kodit Rrugor dhe mirëfunksionimin e ligjit, paraqes nismën ligjore për të ndryshuar pikën 3 të nenit 127 dhe të për shtuar dy pika të tjera 3/1 dhe 3/2, të cilat rregullojnë përfundimisht problematikat e hasura deri më sot për këtë çështje”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Përfituesit

Gjithashtu sqarohet se ndryshimi dhe shtesat në piken 3 të nenit 127 bëhen me qëllim unifikimin e sanksioneve me vendet e BE-së, me qëllim që edhe vendi ynë të vendosë dhe të aplikojë ato standarde. “Propozimi për dyfishim të sanksionit me masë administrative në "këmbim" të mospezullimit të lejedrejtimit për drejtuesit e mjeteve me lejedrejtimi të lëshuar nga një shtet i huaj, do të jetë një masë lehtësuese për drejtuesit e mjeteve.

Ky ndryshim do të ketë një impakt mjaft pozitiv për drejtuesit e mjeteve nga Kosova, të cilët vijnë në Shqipëri çdo fundjavë dhe sidomos për sezonin turistik. Impakt pozitiv ndryshimi do të ketë edhe për drejtuesit e mjeteve joshqiptarë me kombësi të huaj, të cilët do të ndiejnë "shtrëngesën" në pagesën e një mase dyfish për shkeljen e kryer dhe nuk do të kenë vonesa dhe humbje të panevojshme nga shkuarja tek Institucioni i Prefektit për të aplikuar për falje etj”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Ndikimi në Buxhet

Deputeti Pjerin Ndreu argumenton se ndryshimi i propozuar do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit nga kryerja e shkeljeve të mësipërme të parashikuara dhe vjelja dyfish të shumës së masës administrative të parashikuar për dispozitën e shkelur.

“Amendimi i propozuar do të ndikoje drejtpërdrejt për eliminimin e shfaqjeve korruptive dhe të perceptimit negativ që ekziston në publik për Policinë Rrugore, e cila sot aplikon masat për këtë kategori në zbatim të dispozitës përkatëse, por "perceptimi" mbetet pasi diferencat dhe ndryshimet në legjislacionet rrugore të huaja me ligjin shqiptar e krijojnë këtë perceptim. Nisma e propozuar është në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi për Kodin Rrugor dhe Rregulloren e Kuvendit. Projektligji, si projektligj joqeveritar, nuk ka ndikim në buxhetin e shtetit që sjell rritjen e shpenzimeve apo pakësim të të ardhurave”, thuhet në relacion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat