Kontroll Rinasit: Audit i huaj për kontratën me çmimet më të larta të biletave

Shqipëria

Kontroll Rinasit: Audit i huaj për kontratën me çmimet më të larta të biletave

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 10:24
Rinas

Pas 14 vite operim në tregun vendas, qeveria ka vendosur që të verifikojë çdo qindarkë të kontratës koncesionare të aeroportit Nënë Tereza.

Nisur nga fakti se tarifat që ofron ky koncesionar në aeroportin e vetëm në Rinas, janë ndër më të lartat në rajon, Autoriteti i Aviacionit Civil do të kërkojë një kompani konsulence ndërkombëtare me qëllim auditimin e bilanceve.

Kreu i Aviacionit Civil, Krislen Keri në një interviste për Vizion Plus thotë se qëllimi është që në përfundim të ketë një konkluzion profesional dhe të pavaruar nga kompania e konsulencës lidhur me investimin, të ardhurat dhe normën e fitimit të koncesionarit.

“Ne s’jemi të specializuar ndaj kemi kërkuar që këtë audit ta bëjë një kompani e pavarur, për të parë a i ka respektuar të gjitha detyrimet ekonomike koncesionari, por edhe për të parë strukturën e kostos”. 

Kompania do të paguhet me 29 milion lekë për auditin që do të kryjë. Nga lidhja e kontratës do të mjaftojnë 40 ditë për të patur një raport përfundimtar, çka do të thotë se brenda verës do të kemi një tablo më të qartë të situatës ekonomike të këtij koncesioni.

“Ka një grup që merret me rishikimin e kontratave koncesionare dhe ky grup konkludoi se tani është koha për të patur një vlerësim më të thellur dhe më profesional ndaj këtij koncesioni”. 

Gjithçka do të varet nga raporti përfundimtar, i cili mund të rezultojë pa problematika.

Por nëse zbulohen shkelje ose dizbalanca ekonomike, që përkthehet në norma të pajustifikuara fitimi, ky dokument mund të shërbejë edhe si një mjet për të vendosur një raport të ri me kompninë përsa i takon tarifave aktuale.

Gjithsesi, sot aeroporti Nënë Tereza është koncesionari me fitimin më të madh në ekonominë tonë, me njç shifër që arriti në 21 milion euro në vitin 2017.Këta para vijnë të gjitha nga çmimet që paguhen për biletat ajrore dhe shërbimet e tjera në aeroport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat