PD publikon hartën: Kjo është skema e grabitjes së Teatrit Kombëtar dhe pronës publike

Shqipëria

PD publikon hartën: Kjo është skema e grabitjes së Teatrit Kombëtar dhe pronës publike

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 13:21
Albana Vokshi

Partia Demokratike ka publikuar sot një hartë ku sipas saj tregohet skema e grabitjes së Teatrit Kombëtar dhe pronës publike, për ndërtimin e 6 kullave, nëpërmjet të cilave PD thotë se Rama dhe Veliaj do të pastrojnë paratë e krimit dhe drogës.

Në një deklaratë për mediat, Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Albana Vokshi tha se Edi Rama dhe Erion Veliaj e kanë mbajtur të fshehtë deri më sot projektin e kompanisë së tyre private, që do të shkatërrojë Teatrin Kombëtar dhe do të ndërtojë 6 kulla në qendrën historike të kryeqytetit.

Sipas Vokshit, Kryeministri dhe kryebashkiaku gënjejnë publikisht, kur thonë se territori i Teatrit nuk do të preket asnjë centimetër.

“Gënjejnë për të mbrojtur milionat e tyre të paligjshme nga droga dhe korrupsioni. Miliona që duan t’i pastrojnë duke bërë një krim edhe më të madh: shembjen e Teatrit Kombëtar, grabitjen e pronës së tij dhe pjesës tjetër pranë tij, si dhe noterizimin e grabitjes dhe pastrimit të parave nëpërmjet ligjit të jashtëzakonshëm, që duan ta miratojnë në parlament me urgjencë deri të enjten”.

Vokshi publikoi hartën, ku sipas saj, tregohet qartë se shkatërrimi i teatrit parashikon ngritjen e 3 kullave.

“Harta që po publikojmë sot tregon sipërfaqen e Teatrit Kombëtar, sipas vërtetimit hipotekor. 5.522 m2 janë pronë e Teatrit Kombëtar, për të cilin Veliaj tha se nuk preket asnjë centimetër. Por harta tregon qartë se projekti i Edi Ramës për shkatërrimin e Teatrit, parashikon ngritjen e 3 kullave në territorin e Teatrit Kombëtar. Përfitimi minimal i përllogaritur nga ekspertët, tha Vokshi është 205 milionë euro.

Ajo tha më tej se “për të rritur sa më shumë fitimin nga kullat e krimit, Edi Rama i ka vënë tokës publike në qendrën historike të Tiranës çmimin qesharak 470 euro për metër katror, ndërkohë që çmimi në atë zonë për një apartament apo biznes është 5 -10 herë më i shtrenjtë, por në asnjë rast më pak se 2500 euro metri katror”.

“Prej më shumë se dy javësh, Kryetari i Bashkisë refuzon kërkesën e opozitës për të dhënë shpjegime në Komisionin Parlamentar, si dhe refuzon të përmbushë detyrimin ligjor për të dhënë informacion me shkrim rreth projektit të propozuar nga kompania “Fusha”, ku përcaktohet hedhja në erë e Teatrit Kombëtar dhe ngritja e 6 kullave. Në shkelje të afateve ligjore, Erion Veliaj, sekseri i Edi Ramës në bashki, nuk ka sjellë asnjë përgjigje në Parlament, duke mbajtur të fshehtë Skemën e Grabitjes së Teatrit Kombëtar dhe Pronës Publike në mes të Tiranës”, tha më tej Vokshi.

Sipas Partisë Demokratike skema e grabitjes është paracaktuar në zyrën e Edi Ramës që, pasi nxorën jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese, ka planifikuar të miratojë me urgjencë, brenda dy ditësh, vjedhjen e shqiptarëve me ligj të jashtëzakonshëm dhe antikushtetues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat