Replikat midis kreut të grupit të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, dhe deputetes së PD-së, Albana Vokshit, vazhdojnë.
Vokshi ishte ajo e cila përmes një deklarate për shtyp publikoi ditën e shtunë dokumentin, sipas të cilit në projektin për ndërtimin e teatrit të ri parashikohet edhe ndërtimi i gjashtë kullave. Fill pas këtij prononcimi nga ana e deputetes demokrate, Balla u shpreh për mediat se do ta padiste atë për shpifje në Gjykatë.
Pas këtij prononcimi, deputetja e Partisë Demokratike i ka publikuar kreut të grupit të PS një video, ku sipas saj duket Taulant Balla i vogël që i këndon Enver Hoxhës.
“Rri në mes dëgjon e qeshet,
kur ja themi si bilbilat…
Eeee moreee, eh,
eeeee, moj eeee…,” shkruan këto vargje Vokshi bashkangjitur me videon.
Balla i është përgjigjur sulmit të fundit të Vokshit përmes një tjetër statusi në Facebook, ku thotë se djali në video nuk është ai por dy nxënës të asaj kohe nga zona e Prrenjasit, të cilët quhen A.Belba dhe A. Omeri.
“Këta nuk paskan as turp kur gënjejnë gjithë ditën dhe as minimumin e dinjitetit njerëzor. Si ka mundësi që as nuk skuqen dhe as kërkojnë ndjesë kur gënjeshtra u del në publik”, shkruan më tej Balla.