Përllogaritjet e lektorit të UET: Ja viti kur mund të anëtarësohemi në BE

Shqipëria

Përllogaritjet e lektorit të UET: Ja viti kur mund të anëtarësohemi në BE

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 15:58
Klementin Mile

Kur një vend nis garën për të hyrë në Bashkimin Europian, datat kanë një rëndësi shumë të madhe. Pas samitit të qershorit, tashmë vëmendja është përqendruar në vitin 2019.

“Këtë proces kam patur rastin ta ndjek nga afër për 5 vite rresht, si nëpunës i një ministrie që tani nuk ekziston më, Ministrisë së Integrimit. Në vitin 2007, duke analizuar përvojat e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, arrita në përfundimin se Shqipëria do mund të anëtarësohej në BE në rastin më të mirë në vitin 2021 dhe në rastin më të keq në 2027. Këto data anëtarësimi, të cilat atëherë dukeshin tmerrësisht të largëta, tashmë po konfirmohen. Kështu, nëse negociatat hapen në qershor 2019, Shqipëria do mund të anëtarësohet në BE aty nga viti 2029,” shkruan pedagogu i UET, Klementin Mile në kolumnën e tij të fundjavës në Mapo.

Sipas tij, ngelen tre probleme të mëdha.

“Së pari, Integrimi nuk konceptohet dhe nuk përjetohet si proces, por si një sekuencë e thjeshtë ngjarjesh. Që Integrimi të jetë proces, ngjarjet e mëparshme duhet të jenë gjithnjë e më tepër përcaktuese për ngjarjet e mëpasshme. Vetëm kur Integrimi konceptohet dhe trajtohet si proces mund të thuhet se ai është i pakthyeshëm. Përndryshe, një frazë e tillë, kaq shumë e pëlqyer nga politikanët tanë, është qesharake dhe pa përmbajtje.

Së dyti, Integrimi nuk është “të bësh detyrat e shtëpisë”. Pavarësisht se Brukseli jep rekomandime dhe vendos kushte për Shqipërinë, kjo nuk do të thotë se Tirana është e detyruar thjesht dhe vetëm të bindet. Edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në nuk e detyron ekzekutivin dhe legjislativin shqiptar për gjithçka. Në atë marrëveshje ka hapësirë lirie, pra manovre politike, bie fjala për të harmonizuar fillimisht legjislacionin shqiptar me atë europian në fushën e transportit, pastaj atë të bujqësisë. Por kur edhe politikanët tanë flasin për “detyra shtëpie”, kjo dëshmon se politikës shqiptare po i hiqet elementi thelbësor i vizionit politik dhe po shndërrohet në një entitet teknik dhe menaxherial. Dhe dihet, kur “detyrat e shtëpisë” nuk kryhen si duhet, vijnë “mësuesit europianë” për ta rregulluar gjendjen.

Së treti, Integrimi nuk është çështje kostosh dhe përfitimesh – as financiare, as ligjore, as kulturore. Kjo sepse Integrimi Europian nuk është një proces statik që vlerëson pasivitetin e vendeve, ku p.sh. të jetë e sigurt se do humbasësh në fushën e bujqësisë, por do përfitosh nga fondet për infrastrukturën. Përkundër kësaj, Integrimi duhet të konceptohet si proces dinamik, që na përball me sfida dhe mundësi. Sfidat janë pengesa që duhen kapërcyer, të tilla si modernizimi i administratës publike, Reforma në Drejtësi, një treg i çliruar nga monopolet. Sfidat mund të sjellin humbje, por vetëm atëherë kur dështojmë t’i kapërcejmë pengesat. Edhe mundësitë nuk është e sigurt se do të sjellin fitim. Kjo varet nga fakti nëse bëhemi aktivë dhe nga cilësia e aktivizimit tonë. Për shembull ekspertët e dinë që Shqipëria, në kuadër të Integrimit Europian, ka mundësinë të përfitojë nga fondet e BE-së në fusha të ndryshme. Për ta patur këtë mundësi Shqipëria paguan një shumë parash të konsiderueshme. Këto para nuk justifikohen prej projekteve të fituara, shumë herë më pak se vendet e tjera të rajonit. Ky është një rast tipik kur mundësia nuk arrin të materializohet si përfitim, por si humbje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat