Ahmetaj: Ja bizneset që përfitojnë nga ulja e re e taksave

Shqipëria

Ahmetaj: Ja bizneset që përfitojnë nga ulja e re e taksave

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 17:29
Ministri Ahmetaj

Janë të paktën 11 mijë biznese që do të paguajnë më pak taksa. Rritja e fashës së xhiros nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë, i lehtëson me tatimfitimin bizneset. Këto biznese do të paguajnë nga 5 për qind taksë, nga 15 që paguanin aktualisht.

Ligji u miratua dje në Komisionin e Ekonomisë. Por dje ministri i Financave, në konferencën për zhvillimet ekonomike të 6-mujorit, tregoi edhe masat e tjera të paketës fiskale. Ahmetaj nënvizoi se ekonomia po rritet me ritme të kënaqshme, investimet e huaja janë rritur dhe kredia me probleme ka rënë.

TAKSAT E REJA

“Ulëm tatim-fitimin nga 15% në 5%, pra, tri herë; hoqëm taksën e infrastrukturës për investime të reja në agroturizëm dhe e reduktuam nivelin e TVSH-së nga 20% në 6% për agroturizmin, në akomodim dhe në ushqim. Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, pra, për kooperativat moderne kuptohet, në vazhdën e lehtësive fiskale, ulëm tatim-fitimin nga 15% në 5%, tri herë, ndërkohë që me TVSH-në e kemi bërë lëvizjen pozitive para disa muajsh dhe së fundmi, përsa u përket bizneseve, e rritëm tavanin nga 8 milionë në 14 milionë për bizneset që do të taksohen me 5% nga 15% tatimfitimi. Si konkluzion do të thotë që, me këto lëvizje janë 91% e sipërmarrjeve të Shqipërisë që e kanë tatimfitimin ose 0, ose 5%. 91% e sipërmarrjeve iu është ulur tatimfitimi konsiderueshëm ose 0, ose 5%. Besoj që edhe në vjeshtë do të kemi një paketë procedurale-fiskale në favor të sipërmarrjes”.

INVESTIMET DHE BIZNESI

“Shifra e afarizmit për prodhimin përgjatë tremujorit të parë të vitit 2018 shënoi një rritje prej 15.64 %”, theksoi dje Ahmetaj. Ai u ndal edhe te punësimi dhe bizneset e reja. “Besoj që statistika është kokëfortë, tregon që ka një rritje neto. Janar-qershor, 7 mijë biznese të reja neto”.

Duke u ndalur te investimet, ministri ishte shumë optimist, ku theksoi se, ky vit do të shënojë sërish një rekord dhe ai meraku i vazhdueshëm për projektet e mëdha, projektet e mëdha janë duke mbaruar fazën e investimit, e ndërkohë investimet e huaja po ecin konsoliduar. “Stoku në 2015- n ishte 5 miliardë euro, stoku në dhjetor të 2017-s ishte 6.5 miliardë euro, pra +16 % stoku i investimeve të huaja”.

TË ARDHURAT

Duket se kursi i këmbimit, zhvlerësimi i euros ka prekur të ardhurat e buxhetit, kryesisht në uljen e të ardhurave nga doganat. Sipas Ministrisë së Financave, goditja në të ardhura nga kursi i këmbimit shkon në 3,6 miliardë lekë. “Janë gati 60 milionë dollarë më shumë në gjashtëmujor se sa viti i kaluar. Kemi një rezultat gati 98%, me gjithë goditjen serioze dhe jo të vogël që i ka dhënë të ardhurave doganore kursi i këmbimit. Me gjithë atë goditje, qëndrojmë në nivele të kënaqshme”, theksoi Ahmetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat