Zhduket anija me kapiten sirian, rrëmbeu edhe mallrat e një kompanie shqiptare

Shqipëria

Zhduket anija me kapiten sirian, rrëmbeu edhe mallrat e një kompanie shqiptare

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 20:01
Anije, foto ilustrim

Një anije tregtare me kapiten sirian dhe ekuipazh egjiptian theu sigurinë portuale, duke vënë në diskutim edhe funksionimin e radarëve.

Anija “Sea Scanner”, që hyri në portin e Durrësit që më 23 qershor, me një ngarkesë prej 6000 ton kripë, u largua në mënyrë klandestine në orët e para të së shtunës nga rada e portit të Durrësit.

Kapiteni i anijes, Ezzat Hamadeh, 41 vjeç, sfidoi të gjitha rregullat e lundrimit e transportit ndërkombëtar të mallrave, duke u larguar pa lejen e autoriteteve bashkë me një ngarkesë me 500 ton kripë kontrabandë, sasi që u kthye dhe në mollë sherri me kompaninë Jurgen XXL.

Anija kishte sjellë 6 mijë ton kripë, po një pjesë është dëmtuar në hambarët e papastruar të anijes, duke krijuar dhe një mosmarrëveshje tregtare mes palëve për dëmshpërblimin e mallit.

“Gjatë shkarkimit të ngarkesës u konstatua nga pritësi i mallit dëmtimi i mallit dhe për pasojë u krijuan mosmarrëveshje. Nuk është bërë asnjë kontroll në anije pasi nuk i kishte përfunduar proceduarat”, shprehet Taulant Allkja, kapiten i Portit Detar, Durrës.

Anija ka dalë në radë më 2 korrik për ulje të shpenzimeve në port. Në orët e para të 7 korrikut anija është larguar pa lajmërim drejt veriut. Kapiteni i portit njoftoi autoritetet kroate dhe italiane për anijen në arrati, ndërsa përjashton mundësinë që anija të ketë pasur ngarkesa të tjera të paligjshme brenda saj.

“Janë njoftuar të gjitha shërbimet partnere”, thotë kapiteni.

Komopania Jurgen XXL depozitoi padi pranë policisë dhe prokurorisë së Durrësit, pasi anija është larguar me mall të zhdoganuar nga Shqipëria. Subjekti hedh dyshime dhe për rolin ndihmues të një agjenti detar në arratinë e anijes.

Ndërkohë që vetëm një ditë më parë agjencia detare “Albion” ka njoftuar Kapitanerinë, Doganën, Policinë Kufitare dhe Autoritetin Portual Durrës për dorëheqjen e saj nga shërbimi ndaj anijes.

Sipas Kapitanerisë së Portit, përgjegjëse për sigurinë portuale dhe lëvizjet e anijeve që ndodhen në radë është Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare, të cilat deri tani kanë heshtur mbi rastin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat