Partia Demokratike kërkoi sot nga presidenti i Republikës, shkarkimin e gjyqtarit Admir Thanza për shkak se sipas PD-së, ka fshehje të dënimit në Itali në formularin e dekriminalizimit.
“KPK duhet ta kishte shkarkuar gjyqtarin Thanza që në prill 2018, kur janë vënë në dijeni të faktit, jo të lejonin që ai të qëndronte në detyrë edhe 3 muaj të tjerë”, thuhet në deklaratën e partisë Demokratike.
PD kërkon nga Prokuroria fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit të lartë për shkeljen prej tij të ligjit të dekriminalizimit.
“Pavarësisht nga rrethanat e pretenduara prej tij mbi kryerjen apo jo të krimit, Partia Demokratike kërkon respektimin e vendimit të Drejtësisë italiane dhe shkarkimin e tij të menjëhershëm nga detyra”, thuhet në deklartën e partisë Demokratike. /ATSH