Mesi: 10 milion euro investim për rrugën Velipojë-Shëngjin

Shqipëria

Mesi: 10 milion euro investim për rrugën Velipojë-Shëngjin

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 11:51
Mesi shprehu pritshmëritë në rritje për numrin e turistëve këtë vit, si dhe e vuri theksin te sfidat që e presin këtë sezon turistik.

Gjatë zhvillimit të disa takimeve në Shkodër në kuadër të zhvillimit të turizmit si dhe promovimit të projektit SmileAlbania ZëvendësKryeministrja Senida Mesi u shpreh se siguria në plazhe do të vazhdojë të mbetet një nga prioritetet e turizmit këtë vit, ndërkohë që vëmendje e veçantë do ti jepet vendosjes së kullave të vrojtimit dhe rojeve bregdetare. Këtë fakt ajo e theksoi në mbledhjen e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, në Shkodër.

Mesi shprehu pritshmëritë në rritje për numrin e turistëve këtë vit, si dhe e vuri theksin te sfidat që e presin këtë sezon turistik.

“Nisur edhe nga ngjarjet e fundit në bregdetin shqiptar ku turistë vendas dhe të huaj kanë humbur jetën në det, situata e sigurisë së vijës bregdetare dhe në plazh duhet të jetë prioriteti kryesor”, tha ajo.

Mesi shtoi se vendosja e sinjalistikës së sigurisë në çdo plazh privat dhe publik është detyrim i Bashkisë, njësive administrative vendore dhe të çdo biznesi. Gjithashtu paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë biznes që të uzurpojë hapësirat publike dhe të ofrojë plazhe private pa marrë më parë lejen përkatëse.

“Nuk mund të tolerohet askush që ushtron aktivitet biznesi në vijën bregdetare dhe nuk vendos sinjalistikën e nevojshme të sigurisë. Vendosja e kullave të vrojtimit dhe e rojeve bregdetare është detyrim për çdo biznes që ofron stacion plazhi. Nuk mund të tolerohet që bizneset të uzurpojnë hapësirat dhe të ofrojnë plazhe private pa marrë më parë lejen përkatëse dhe të mos ofrojnë sinjalistikën dhe rojet bregdetare”, tha Mesi ndër të tjera.

Nga Shkodra ajo theksoi edhe një herë rëndësinë e kushteve higjieno-sanitare në plazhet publike e private dhe në zonat turistike, duke pohuar se nuk do të ketë tolerancë për baret, restorantet, pishinat, hotelet, bujtinat, fshatrat turistike, subjektet e prodhimit apo përpunimit të produketeve ushqimore, të cilat nuk i plotësojnë kushtet higjieno-sanitare.

Gjatë takimeve në Shkodër, Mesi vizitoi edhe qendrën shëndetësore të Velipojës, teksa pati një takim edhe me përfaqësues të biznesit.

Ajo foli edhe për një investim 10 milionë euro, që aktualisht është në fazë studimi e që brenda 2018-tës  pritet që të fillojë punimet, për rrugën Velipojë – Shëngjin. Ky projekt pritet të jetë mjaft fitimprurës për zonën, pasi do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve dhe lehtësinë e lëvizjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat