Grida Duma: Prishja e Teatrit, cënim i identitetit kombëtar

Shqipëria

Grida Duma: Prishja e Teatrit, cënim i identitetit kombëtar

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 06:44
Grida Duma

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma thekson se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar, është jo vetëm një aferë klienteliste e Kryeministrit Edi Rama, por edhe një cënim i identitetit kombëtar.

E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun, deputetja e PD-së nënvizon rëndësinë historike dhe kulturore që kjo godinë mbart ndër vite.

Duke listuar një sërë emrash artistësh të mëdhenj që i kanë dedikuar jetën dhe punën brenda asaj godine, ajo shton se vlera që ka Teatri nuk mund të matet me metra katrorë, pasi ato janë vlera kulturore dhe historike.

Duma thotë se është kundër politikës aktuale të qeverisë, që ka të bëjë me nisjen nga zero dhe rindërtimin. E parë në kuadrin e prishjes së godinës së Teatrit, deputetja demokrate thekson se në këtë mënyrë zhduket historia jo vetëm e vet godinës, por edhe vlerave të saj si identitet kombëtar.

Duma: Për debatet brenda PD, do të flas në një moment të dytë

Humbja që pësoi Partia Demokratike në zgjedhjet e Qershorit të vitit 2017, nuk kaloi pa kritika edhe brenda selisë blu.
Por sot kur kanë kaluar më shumë se 1 vit, deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma, zgjedh të komentojë kritikat dhe zërat kundër brenda PD-së. Deputetja demokrate nënvizon se asnjëherë nuk ka marrë krah në debatin e brendshëm, por shton se ka vendosur që për këtë të shprehet në një moment tjetër.

“Do të flas për këtë çështje në një moment të dytë. Unë nuk kam marrë asnjëherë krah në debatin e brendshëm. Asnjëherë nuk kam pasur vendimmarrje brenda PD, por kam bërë opozitë ndaj qeverisë që në vitin 2013, kur shumë pak njerëz e mbronin PD.” thekson mes të tjerave deputetja Duma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat