16 korriku, afati i fundit për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës për TVSH-në

Shqipëria

16 korriku, afati i fundit për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës për TVSH-në

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 11:20
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dëshiron të sjellë në vëmendje të tatimpaguesve, që janë përfshirë për herë të parë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-së), detyrimin për të plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e thjeshtuar, brenda datës 16 korrik 2018.

Përmes një njoftimi për shtyp Administrata Tatimore shprehet e gatshme të asistojë gjatë këtij procesi të gjithë tatimpaguesit që e kanë këtë detyrim si dhe i fton ata të vizitojnë këndin e asistencës, i dedikuar për biznesin e vogël, pranë të gjitha Drejtorive Rajonale Tatimore.

Pranë 13 këndeve të ngritura për çdo qark tatimpaguesit mund të marrin të gjithë asistencën e nevojshme, në mënyrë që të përmbushni me korrektësi detyrimet ligjore .
Duke filluar nga data 1 prill 2018, ka hyrë në fuqi kufiri i regjistrimit në TVSH për qarkullimin në një vit kalendarik prej 2,000,000 lekë.

Tatimpaguesit e Biznesit të vogël, të cilët gjatë vitit 2017, kanë realizuar një qarkullim prej 2.000.000 – 5.000.000 lekë, në bazë të këtij ndryshimi, janë regjistruar automatikisht nga Administrata Tatimore me përgjegjësinë tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Gjithashtu në këtë përgjegjësi duhet të regjistrohet edhe çdo tatimpagues ekzistues apo i regjistruar rishtazi, i cili parashikon të realizojë nje qarkullim mbi këtë kufi gjatë vitit 2018.

Çdo tatimpagues, i përfshirë në skemën e TVSH-së, duhet të regjistrojë në mënyrë kronologjike në librat e shitjes çdo faturë tatimore shitjeje të lëshuar prej tij, si dhe qarkullimin ditor të memorizuar të pajisjes fiskale në një shifër të vetme mujore. Po kështu, duhet të regjistrojë në librat e blerjes çdo faturë blerje malli me dhe pa TVSH, sipas kolonave përkatëse.

Janë 11 mijë e 700 biznese që hyjnë për herë të parë në skemën e TVSH-së. Nga këto më tepër se 60% e kanë dorëzuar deklaratën tatimore. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat