Monopoli i karburantit në Rinas

Shqipëria

Monopoli i karburantit në Rinas

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 19:54
Rinas

Kur qeveria ka nisur auditimin e koncesionit të Rinasit, Top Channel publikon të tjera fakte se si qytetarët shqiptarë deyrohen të paguajnë milionë euro në vit kosto abuzive për të fluturuar.

Përveç monopolit të fluturimeve ndërkombëtare, në aeroportin e Rinasit funksionon edhe një tjetër monopol. Ky është furnizimi i avionëve me karburant, që ka ndikim të konsiderueshëm në çmimin e biletave.

Që nga fillimi i koncesionit të Rinasit, monopolin e këtij shërbimi e ka patur kompania “Air BP Albania”, sipas një marrëveshjeje të lidhur mes saj dhe koncesionarit të aeroportit. Top Channel publikon bilancet e “Air BP Albania” në dy vitet e fundit të disponueshme, 2015-2016. Sipas tyre, në të dy vitet kompania ka një normë fitimi bruto që luhatet nga 50 deri në 52 për qind, kur mesatarja e tregut të karburanteve varion nga 2 deri në 7 për qind maksimumi.

Por ky nuk është fakti i vetëm. Top Channel publikon një hetim konfidencial të kryer nga ekspertët e Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka krahasuar çmimin e shitjes së karburantit për avion në rinas me atë në aeorportet e vendeve fqinje. Sipas hetimit, çmimi i karburanteve në Rinas është 2 deri në 3 herë më i lartë sesa ai në disa aeroporte të Italisë.

Karburanti është zëri më i rëndësishëm në koston e fluturimeve, duke zënë mbi 30 për qind të kostos totale në çmimin e biletave të fluturimit. Kjo bën që vetëm për shkak të çmimeve të larta të karburantit, qytetarët shqiptarë të paguajnë miliona euro në vit tarifa abuzive për të fluturuar.

Të gjitha faktet e nxjerra nga hetimi i ekspertëve të konkurrencës ju dorëzuan Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Por, në mënyrë të çuditshme, në korrik të vitit të kaluar, Komisioni i Konkurrencës e mbylli hetimin jo vetëm pa asnjë masë korrektuese për të mbrojtur qytetarët nga tarifat abuzive, por edhe pa asnjë penalitet për “Air BP”, pavarësisht fakteve tronditëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat