Mineralet dhe energjia rigjallërojnë eksportin në Shqipëri, rritje 18.3% në 6 muaj

Shqipëria

Mineralet dhe energjia rigjallërojnë eksportin në Shqipëri, rritje 18.3% në 6 muaj

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 07:38
Foto ilustrim

Shitjet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë i janë rikthyer tendencës pozitive, pas dy vitesh performance të dobët, duke ndikuar direkt në rritjen e gjithë eksporteve gjatë gjashtë muajve të parë të vitit.

Sipas INSTAT-it, eksportet e këtij grupi u rritën me 34% me bazë vjetore për 6-mujorin, duke arritur në 30.7 miliardë lekë dhe duke kaluar sërish në grupmallin e dytë më të eksportuar në vend. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë, atë të Patos Marinzës, ka rritur ndjeshëm eksportet si rrjedhojë e konjukturës më të favorshme ndërkombëtare dhe mbylljes së rafinerisë ARMO, të cilës i shiste gjysmën e prodhimit gjatë vitit të kaluar. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë grup është edhe ringjallja e industrisë minerare, e cila është para një hovi të ri prej investimeve të reja, me rreth 25 milionë euro në sektorin e përpunimit, me dy linja të reja nga AlbChrome në Bulqizë dhe Tete Albania në Spaç, që pritet të rrisin dukshëm vlerën e eksporteve në fund të këtij viti dhe gjatë 2019.

Pozitivisht në muajt e parë të vitit ka ndikuar dhe eksporti i energjisë si rrjedhojë e situatës së favorshme me reshje, që i mundësoi KESH të shtonte të ardhurat, por dhe ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen ekonomike në tre muajt e parë të këtij viti.

Eksporti

Në 6 muajt e parë të këtij viti, kompanitë shqiptarë shitën jashtë vendit 158 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 18.3% me bazë vjetore. Vetëm në qershor, zgjerimi i eksporteve ishte 17.8%.

Shitjet jashtë vendit të “tekstileve dhe këpucëve”, grupi më i madh i eksportuar në vend, arritën në 63.3 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 9.3% për 6 mujorin e parë të vitit.

Por, sektori ka ndalur rritjen, teksa në qershor eksportet e këtij grupi u zgjeruan me më pak se 4%, ritmi më i ulët që prej shumë muajsh, teksa deri pak kohë më parë ritmet e rritjes ishin dyshifrore. Eksportuesit e tekstileve e këpucëve janë ankuar vazhdimisht për efektin negativ që po vjen nga zhvlerësimi i euros, që aktualisht është stabilizuar në 126 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar dhe rreth 139-140 lekë që këmbehej mesatarisht në periudhën 2010 - gjysma e parë 2016. Megjithatë, ky sektor vijon t’i gëzohet një kërkese të lartë nga partnerët e huaj.

Grupi i tretë më i madh i eksporteve “materiale ndërtimi dhe metale” ka vijuar me tendencën pozitive, i ndikuar nga riaktivizimi i kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum, tek e cila ka funksionuar procesi i falimentit për efekt ristrukturimi, i nisur në mars 2016. Tashmë kompania, sipas burimeve të saj po shlyen normalisht kreditë dhe u është rikthyer tregjeve të huaja, teksa më shumë se gjysma e prodhimit po eksportohet, ku vendin kryesor e zë Kosova, ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e më pak në Serbi. Eksportet e këtij grupi arritën në 27 miliardë lekë, me një rritje prej 28.6%.

Kurse eksportet e grupit “ushqime, pije e duhan” u rritën me 14.9% duke arritur në 15.6 miliardë lekë.

Pozitive ka qenë dhe ecuria e grupit “makineri, pajisje e pjesë këmbimi”, që u rrit me 20.7%, për të arritur në 8.4 miliardë lekë për 6-mujorin.

Tregtia

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 68%, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2018, eksprtet drejt vendeve të BE-së zënë 76.3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 63.9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35.6%), Greqia (8.3%), Gjermania (6.2%) dhe Turqia (6.1%).

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 importet e mallrave arritën vlerën 309 mld lekë, duke u rritur me 4.7%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 151 mld lekë, duke u ulur me 6.6%, krahasuar me 2017-ën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat