Protesta e veçantë për të mbrojtur ishullin e gjelbër nga 'sharrat' koncesionare

Shqipëria

Protesta e veçantë për të mbrojtur ishullin e gjelbër nga 'sharrat' koncesionare

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 15:22
Ilustrim

Një grup të rinjsh studentë marshuan gjatë fundjavës në majën “Guri i Vashës”, pikën më të lartë të pyjeve për të cilat protestojnë prej vitesh banorët e fshatrave të Fushë-Bulqizës, të cilët synojnë ta ruajnë këtë ishull të gjelbër nga sharrat e një kontrate koncesionare.

Nga maja “Guri i Vashës” – një ndër pikat më të larta në Bulqizë e rrethuar me pyje Ahu dhe e pasur me burime uji, me sy të lirë mund të dallohet lehtë nga një krah pyjet e prera e më pas të djegura rreth “Liqenit të zi” të Valikardhës dhe në krahun tjetër pyjet e ruajtura dhe plotë gjelbërim në fshatrat e Fushë Bulqizës.

Për gati katër vite banorët e fshatrave Kodra e Danit, Dushaj, Koçaj dhe Kokërdhokut, që për më shumë se dy dekada kanë qënë dëshmitarë të shkatërrimit të pyjeve të Bulqizës, kanë dalë në rrugë dhe janë përplasur me policinë dhe një kompani koncesionare për të mos lejuar që edhe pylli i fundit i zonës së tyre të kthehet në djerrinë.

“Është bërë si një fushë për të mbjellë patate dhe ndoshta ministria e linjës duhet ta shoh si mundësi që të jap edhe një koncesion të tillë”, tha një prej studentëve që u organizuan fundjavën e kaluar në një marshim-proteste për të ndërgjegjësuar kundër prerjes së pyjëve në këtë zonë.

Historia e koncesionit dhe protestave fillon në vitin 2015 kur ministria e Mjedisit dha leje për shfrytëzimin e parcelave pyjore pranë fshatrave tre fshatrave të Fushë Bulqizës. Banorët kundërshtuan, duke u ankuar se nuk ishin konsultuar dhe se koncesioni prekte burimet e tyre jetike. Pas një peticioni të banorëve prefekti i Dibrës urdhëroi “pezullimin e punimeve për hapjen e rrugës auto-pyjore”.  Kompania kundërshtoi vendimin e prefektit si të jashtëligjshëm, por puna për hapjen e rrugës u bllokua.

Protestat kundër koncesionit të dhënë në vitin 2015 u rigjallëruan sëfundmi kur kompanitë koncesionare “Almex-Ëood” dhe “Lubima sh.p.k” filluan të hapin një rrugë të dytë duke i dalë nga pas fshatrave. Banorët e fshatrave ndërkohë ankohen se u bëhet vazhdimisht presion dhe se autoritete përfshi policinë, mbështesin në mënyrë të paligjshme koncesionarin.

Kompania koncesionare është mbrojtur duke bërë me dije se kishte fituar një kontratë të ligjshme dhe se po të kërkonte zbatimin e saj, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.
“Ne jemi konform të gjitha rregullave. Shkresat janë në çdo institucion,” tha Luan Manjani, administrator i kompanisë “Lubima sh.p.k”.

Marshimi protestë

Marshimi i studentëve të nisur nga Bulqiza kishte si qëllim të ndërgjegjësojë publikun për pasuritë natyrore që rrezikohen nga leja koncesionare. Tridhjedhë minuta pasi u nisën nga qyteti minerar studentët u gjetën në një nga fshatrat që ka qëndruar gjatë në kronikat televizive për shkak të protestave, Kodra e Danit.

Shtrirë në kodrën me të njëjtin emër, ky fshat i ngjan një ballkoni prej ku mund të shohësh luginën në pëllëmbë të dorës. Bashkë me studentët nga Tirana, në këtë marshim proteste janë bashkuar edhe djem dhe vajza të zonës.

Prej fshatit Kodra e Danit duhen dy orë e gjysëm ecje në këmbë për të shkuar në pjesën hyrëse të livadheve që ndodhen në masivin pyjor të njohur si “Sheshe Bulqizë”. Pemët e larta të ahut formojnë një kurorë mbretërore gjatë rrugës.

Ky masiv pyjor përbëhet nga dy ekonomi pyjore, ‘Sheshe Bulqizë’ dhe ekonomia pyjore “liqenet e Bulqizës’. Është një masiv pyjor i zhvilluar mbi një reliev që ngjan me një amfiteatër, me florë dhe faunë të shumëllojshme dhe vlera të mëdha të biodoversitetit.
Ai po ashtu është ndër të vetmet zona pyjore të paprekura në Shqipëri – i mbrojtur nga banorët e kësaj treve brez pas brezi, të cilët mbeten shumë të lidhur me pyllin.
“Këtu çdo gjë është e lidhur me pyllin, është uji i pijshëm dhe vaditës, janë drutë e zjarrit, është ajri që thithim, është gjithçka, por edhe këtë duan që ta marrin”, tha Roland Debreshi, një i ri nga zona qe punon në minierë.

Prej afro katër vitesh tema kryesore e diskutimeve në zonë është pylli, ruajtja e tij është bërë prioritet i parë.

“Madje edhe fëmijët e lagjes, kur janë duke luajtur në rrugë, në momentin kur shohin një eskavator apo edhe një kamion që nuk e kanë parë më parë dhe mund të mos ketë asnjë lidhje me koncesionarët, vërsulen nëpër shtëpi e bërtasin se kanë ardhur makinat e mëdha për të shkuar në mal,” rrëfen Debreshi.

Përgjatë gjithë rrugës për në majën ‘Guri i Vashës’ ka burime të shumta ujore, për të cilat banorët tremben se do të shteronin nëse pylli pritet, duke bërë që edhe ato pak shtëpi që kanë mbetur të detyrohen të shpërngulen.

U deshën dy orë udhëtim mes maleve dhe rrugëve që përdridhen që grupi i aktivistëve të mbërrij në “Sheshe Bulqizë”. Stanet kanë vite që nuk mbushen me bagëti dhe ngjajnë të shkretuara dhe pa jetë.

Megjithatë kasollet janë ende në këmbë dhe udhërrëfyesi Dashamir Xhaferri gjen një prej tyre, ndërsa grupi ulet në një nga livadhet për të pushuar pak e për të rinisur udhëtimin deri te “Guri i Vashës”, pika më e lartë e gjendur në kufi me fshatrat e bashkisë së Dibrës.

“Kjo zonë është shërim për trupin dhe për shpirtin. Po të kishim një vend normal, këtë pasuri të jashtëzakonshme natyrore do ta kthente në një atraksion turistik. Nuk do të shikohej më industria e drurit për të fituar para, por ajo e turizmit,” tha Fjori Sinoruka, studente që udhëtoi që iu bashkua marrëshimit.

Pas më shumë se katër orësh që nga nisja në Bulqizë përballë studentëve shfaqet më në fund “Guri i Vashës”.

“Do të kishim shumë fitime nëse kjo zonë do t’i shërbente turizmit. Por për fat të keq këta e kanë mendjen vetëm tek sharra. Valbonën nuk po e lënë rehat HEC-et e këtej nga ne sharra,” ankohet Rolandi, një banor i zonës.

Nga maja e lartë ‘Guri i Vashës’, shfrytëzimi i pyjeve më poshtë në luginë merr kuprimin e një krimi mjedisor për aktivistët. Në një pikë të pyllit ku koncesionari dyshohet se tentoi të hapte para 1 muaji një rrugë të re autopyjore, më shumë se një dyzinë me gra të këtyre fshatrave bënë roje gjatë natës dhe për disa ditë për ta ndaluar.

Duke mos i lënë asgje mangut legjendës për vashën e vetësakrifikuara, gratë e kësaj zone prej muajsh janë bërë gardianët e pyllit, ndërkohë që komunteti është vënë në kërkim edhe të mekanizmave ligjorë për të bllokuar koncesionin.

“Shikoje se si i kanë prerë pemët – të mëdha dhe të vogla, si ato terroristët që i ke lënë një kallashnikov në dorë dhe vrasin kë tu dalë përpara, edhe këta janë të armatosur me sharrë elektrike,” u shpreh Ermir Balla, një student që mori pjesë në protestë /Birn

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat