‘Kumbari shqiptar’ fut në sherr politikën belge: Shqipëria ta arrestojë, na sjell rreziqe dhe nga aty…

Shqipëria

‘Kumbari shqiptar’ fut në sherr politikën belge: Shqipëria ta arrestojë, na sjell rreziqe dhe nga aty…

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 12:51
Safet Rustemi

Anëtarë të opozitës në Belgjikë kanë kritikuar ashpër ministrin federal të Emigracionit, Theo Francken, për deportimin e Safet Rustemi, i cili rezultoi më pas si një nga kriminelët më të rrezikshëm në Belgjikë, dhe flitet se jeton i lirë në Shkodër.

Safet Rustemi ishte drejtues i një rrjeti droge dhe prostitucioni në Alhambra të Brukselit dhe ishte i dënuar me 22 vjet burg, shkruan “The Brussels Times”.

Në përshkrimin e tij në listën e njerëzve më të kërkuar, ai ishte përfshirë në aktivitete shumë të dhunshme në trafikimin e qenieve njerëzore, tentativë vrasjeje, shkatërrim prone, përdorim armësh dhe vjedhje.

Por në vend që të vuante dënimin me burg, Rustemi u dërgua në një avion dhe u kthye në Shqipëri nga Zyra për të Huajt.

“Në fakt ishte Zyra për të Huajt që i siguroi Rustemit se nuk mund dhe nuk do të vuante dënimin më burg”, ka treguar për mediat avokati i tij, Sven Mary.

Rustemi u bë pjesë e listës “Most Wanted” pasi vazhdoi që ta drejtonte biznesin kriminal që kishte ngritur në Bruksel nga Shqipëria.

Ministri Francken mbështeti Zyrën për të Huajt.

“Shqipëria nuk është fundi i botës. Përfshirja e tij në listë ishte një sinjal për autoritetet shqiptare që ta arrestojnë atë. Ne kemi marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë”, postoi ministri në Twitter, citon AbcNews.

Ndërkohë deputeti Wouter De Vriendt e ka akuzuar Francken si një person të “fiksuar”  pas deportimit të njerëzve, edhe nëse kjo u lejon atyre t’i shpëtojnë drejtësisë.

“Ky lloj deportimi sjell rreziqe të mëdha sigurie. Ky kriminel është i aftë që të na rrezikojë ne edhe pse nuk është këtu. Fiksimi i ministrit tonë me largimin e kriminelëve sa më shpejt të jetë e mundur është rrezik për sigurinë tonë”, tha ai.

Ndërsa ministri Francken ka premtuar se do ta hetojë çështjen më nga afër në ditët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat