"Jemi vendi më bujqësor i Europës, por kemi peshën më të lartë të importeve të ushqimeve"s

Shqipëria

"Jemi vendi më bujqësor i Europës, por kemi peshën më të lartë të importeve të ushqimeve"s

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 12:09
Ilustrim

Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës, por ka peshën më të lartë të ushqimeve të importuara ndaj totalit të importeve.

Nga të dhënat e Bankës Botërore për vlerën e shtuar të bujqësisë të shprehur si përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Shqipëria ka përqindjen më të lartë në të gjithë Europën. 

Bazuar mbi të dhënat e Banka Botërore vlera e shtuar në bujqësi është sa 22.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Pas nesh renditet Moldavia, ku bujqësia së rreth 14% të totalit të ekonomië, apo thuajse 9 pikë më pak se në Shqipëri. Në vend të tretë renditet Ukraina me 13.7%.

Më pas lista pasohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Vlera e shtuar e bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruton në shtetin e Kosovës përgjigjet vetëm për 13.4% të gjithë ekonomisë.

Në Maqedoni vlera e shtuar në Bujqësi është sa 10% e PBB-së, në Malin e Zi 9%, ndërsa në Serbi 7.9%. Bosnja dhe Hercegovina ka vlerën më të ulët të shtuar nga Bujqësia, vetëm 7.7% të PBB të vendit.

Në shtetet e zhvilluara të Europës, bujqësia zë më pak se 5% të ekonomisë, ku niveli më i ulët regjistrohet në Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, me më pak se 1%.

Paradoksi qëndron që edhe pse jemi vendi më bujqësor i të gjithë Europës, kemi peshën më të lartë të importeve për grup-mallrat e ushqimeve. Sipas përllogaritjeve të Monitor duke iu referuar të dhënave të Instat mbi importet ndër vite, pesha e importeve të ushqimeve ndaj totalit të importeve është 11.4%. Krahasuar me dy vendet e tjera më bujqësore të rajonit, si Kosova dhe Maqedonia, të cilët kanë një vlerë të bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendeve përkatëse gati dy herë më pak se i joni, pesha e importeve të ushqimeve është më e ulët.

Duke iu referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për tregtinë e jashtme, importet e ushqimeve në Kosovë janë sa 9% e totalit të importeve në vend.

Edhe në Maqedoni situata është e njëjtë. Importet e ushqimeve zënë vetëm 6% të importeve në total.

Fakti se jemi vendi më bujqësor i Europës, por ndërkohë kemi edhe peshën më të lartë të importeve në bujqësi na tregon se ky sektor në vend nuk është produktiv, teksa bujqësia vuan pasojat e copëzimit të tokës,mungesës së standadizimit dhe konkurrueshmërisë së ulët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat