Basha- Ramës: Dihet çfarë do ti! Ndërkombëtarët të reagojnë për bllokimin e drejtësisë

Shqipëria

Basha- Ramës: Dihet çfarë do ti! Ndërkombëtarët të reagojnë për bllokimin e drejtësisë

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 22:24
Lulzim Basha

Disa orë pasi kryeministri Edi Rama thumboi opozitën duke e cilësuar si përgjegjëse për vonesat në reformën në drejtësi, ka reaguar po përmes rrjetit social, kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Kryedemokrati shprehet në postimin e tij se ajo që kërkon Rama tashmë është e ditur, kapjen e mëtejshme të sistemit të drejtësisë. Basha i referohet ligjit për Magjistraturën, duke thënë se ajo që kërkon Rama është që të sapodiplomuarit në sistem të kalojnë nga dora e Prokuroes Arta Marku dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Sipas Bashës kjo lëvizje e kryeministrit bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe është thuajse e pamundur që t’i kundërshtosh nismat e qeverisë përmes gjykatës.

Basha shton më tutje se heshtja e ndërkombëtarëve në lidhje me ngërçin total që po konsumohet në Gjykatën Kushtetuese, është një shenjë mjaft shqetësuese. Kryedemorkati edhe pse nuk përdor emra i referohet dy ambasadorëve të BE e SHBA në Tiranë, duke thënë se heshtja ul ndjeshëm besueshmërinë e tyre tek shqiptarët.

POSTIMI I BASHES

Ndryshimet e propozuara nga Edi Rama të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sanksionojnë që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga PPP- Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër. Ky propozim është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe kthim tek institucionet e vjetra që kishim para reformës në drejtësi. 

Kjo shkelje e Kushtetutës bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është shpërbërë dhe sistemi kushtetues në Shqipëri është i goditur rëndë. Qëllimi i këtij propozimi është kapja totale e drejtësisë nga Edi Rama përmes Arta Markut dhe KLD-së. 

Prandaj Edi Rama i përgjysmoi para një viti buxhetin dhe burimet për vetingun, qëllimisht për të zvarritur vetingun dhe për të mos krijuar KLP-në, KLGJ-në dhe SPAK.

Partnerët ndërkombëtarë duhet të shqetësohen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama, çka ka hequr çdo lloj kontrolli dhe kufizimi të pushtetit të shumicës dhe ka vënë në rrezik të drejtat e njeriut në Shqipëri. Heshtja e tyre ndaj kësaj gjendje ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar, i cili pret përmbushjen e premtimit që ata i bënë shqiptarëve se peshqit e mëdhenj do ishin në burg dhe jo në krye të qeverisë. Drejtësia pa të korruptuar dhe kriminelë në burg është tallje dhe jo drejtësi.

POSTIMI I RAMES DHE TALLJA ME OPOZITEN

Si sot dy vite më parë, në kuvendin e Shqipërisë kaloi me 140 vota unanime reforma në drejtësi (ndryshimet kushtetuese) që i hapën kështu rrugën nisjes së krijimit të institucioneve të reja dhe procesit të vettingut.

Por si sot e dy vjet më parë, shpresat për ecjen e reformës në drejtësi ishin të mëdha, ndryshe nga sherret e përplasjet për ligjet e ngritjen e institucioneve. E teksa procesi i vettingut duket ende larg së mbaruari, një tjetër përplasje ka ndodhur sesionin parlamentar që lamë pas, ligji për shkollën e Magjistraturës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Rama është kujtuar për ditëlindjen e reformës në drejtësi si dhe nuk ka “harruar” që të shigjetojë opozitën shqiptare.

Për më tepër lexoni postimin e kryeministrit:

Fiks dy vjet më parë kaloi pas njëmijë qametesh Reforma në Drejtësi.Sot pastrimi i llumit të madh ka nisur pa ndalim.Ndërsa ata njësoj si atëherë i bien njëri gozhdës e tjetri patkoit dhe po njësoj SHBA-BE u kërkojnë t’i thërrasin mendjes. Sa gjynah për këdo i beson e dëgjon ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat