Treguesit e 6-mujorit, OSHEE: Arkëtimet arrijnë në 33.4 miliardë Lekë

Shqipëria

Treguesit e 6-mujorit, OSHEE: Arkëtimet arrijnë në 33.4 miliardë Lekë

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 11:58
OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Sh.A) publikoi sot të dhënat bazë të aktivitetit 6-mujor, duke konfirmuar rrugën pozitive të rimëkëmbjes dhe stabilitetit në sektorin e energjisë elektrike.

Treguesi kryesor, niveli i humbjeve në rrjet, periudha janar-qershor 2018, ka shënuar nivelin e 25.4% nga 28.6% që ishte në 2017, për të njëjtën periudhë, ndërkohë para nisjes së reformës, niveli i humbjeve ishte 45.3%.

Për tu theksuar, është fakti se në muajin qershor 2018, OSHEE arriti të zbrisë nivelin e humbjeve në nivelin 20.8%, tregues ky optimist për realizimin e objektivave të vendosura nga qeveria dhe partnerët e huaj.

Elton Sevrani, Drejtor i Divizionit Tregtar, deklaron se, humbjet e energjisë janë ulur në raport me 6-mujorin e parë 2017 me 3.2%.

“Investimet përgjatë 2016-2018, administrimi i kompanisë si dhe angazhimi i punonjësve të OSHEE-së kanë rezultuar të suksesshme duke ulur nivelin e humbjeve dhe rritur të ardhurat. Pa harruar punën e vazhdueshme me kontrollet në terren, për matjen dhe reduktimin e vjedhjes së energjisë, projektet dhe planet e ndryshme të veprimit, të cilat kanë dhënë kontribut pozitiv në reduktimin e nivelit të humbjeve teknike dhe jo-teknike”, analizon Sevrani.

Në lidhje me arkëtimet, totali si 6-mujor i parë 2018 arriti në 33.4 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë më tepër se ne 2017, pra me rritje 4.7%.

Norma e Arkëtimit ndaj faturës pararendëse, e cila në 6-mujorin 2018 arriti 101.2%, sipas Sevranit për disa vite ka qenë rreth 70%, dhe tani shënon rritje në masën 2.8% në raport me 6-mujorin 2017.

“Të dhënat më lart, janë rezultat i realizimit të planeve të punës dhe ndërgjegjesimit të klientëve për pagesat në kohë të faturave të energjisë elektrike”, tha Sevrani. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat