A po e braktisin qytetarët e Kosovës bregdetin e Shqipërisë?

Shqipëria

A po e braktisin qytetarët e Kosovës bregdetin e Shqipërisë?

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 15:10
Ilustrim

Vdekja e disa pushuesve në plazhe, ofendimet, abuzimet në çmime, diskriminimi ndaj turistëve me autobusë etj, kosovarët po i tejkalojnë në heshtje duke bojkotuar rivierën shqiptare. Pushuesit nga Kosova po heqin dorë nga “miti i turizmit patriotik” si për pushime verore ashtu edhe për vizita të vikendit. Numri i pushuesve nga Kosova pësoi rënie në vitin e kaluar dhe e njëjta po vazhdon edhe këtë vit, në fakt po shkon drejt zbehjes më të thellë.

Deklaratat publike tejet ofenduese nga disa shtetas të Shqipërisë në adresë të kosovarëve u dhanë publikisht. Turistëve të tyre ata u thanë të qelbur e racë m..., dikush tjetër tha se kosovarët përveç turizmit nuk i duhen asgjë Shqipërisë.

Por jo vetëm këto ofendime, rastet kur kosovarët porositin diçka nëpër restorante dhe u servohet diçka tjetër nuk mungojnë. Nuk mungojnë as abuzimet në çmime ndaj pagesave për fjetje, plazhë, ushqim e gjësende tjera. Këto dhe arsye të tjera kanë bërë që kosovarët të braktisin plazhet e bukura të Shqipërisë.

Selatin Kaçaniku nga Shoqata e mbrojtjes së konsumatorit “Konsumatori” konsideron se deklaratat e llojit “ a na duhen kosovarët a s’na duhen”, janë të pamatura dhe të promovuara nga disa opinionistë atje. Si dhe rënien e numrit të pushueve e lidh edhe me tarifën e lartë që shpejt pritet të vendoset në Rrugën e Kombit.

Kaçaniku thotë se tash e disa vite Qeveria e Shqipërisë po e injoron Kosovën.

“Sa i përket organizatës “Konsumatori” tri vite rresht i jemi ofruar ministrave të atëhershëm të turizmit që të bisedojmë dhe rezultati është zero nuk kemi marrë asnjë përgjigje. As për tarifën dhe gjërat e tjera për sa vite rresht nuk kemi përgjigje nga ta”, shprehet Kaçaniku.

Më tej Kaçaniku thekson disa nga ankesat e pushuesve kosovarë. Ai përmend edhe mungesën e sigurisë në plazhe ku jo rrallë herë kanë pësuar kosovarët.

“Çdo verë neve po na pësojnë nga disa pushues. Kemi raste me vite që e pësojnë me jetë. Dëmtimet në para, ushqim e shëndet. Qytetarët ankohen se porositin diçka e ju serviret diçka tjetër, paguajnë diçka ju serviret diçka tjetër”, thotë ai.

Sidoqoftë sipas  INSTAT, në vitin 2017 në Shqipëri hynë 1.7 milionë vizitorë nga Kosova, me një rënie të ndjeshme prej 19%.

Trendi i tillë po vërehet edhe këtë vit. Blerina Hoxha nga Shqipëria shkuante dje se si Durrësi mbeti pa turistë kosovarë.

“Këtë vit turistët kosovarë në masë të madhe kanë ndërruar destinacion. Me mungesë turistësh sivjet më së shumti është prekur Durrësi, që për 18 vjet ishte i mbushur me kosovarë gjatë verës”, shkruante Hoxha ndër të tjera.

Media ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë lidhur me shkaqet e braktisjes së bregdetit shqiptar, por ata nuk janë përgjigjur.

Në fund Selatin Kaçaniku tha se ata persona që luajnë me fytyrën e rivierës shqiptarë duhet të marrin përgjegjësi dhe jo të u lihet faji pushuesve.

“Ne jemi tolerantë dhe të durueshëm ndaj nënës Shqipëri. Reagimet nuk janë ato çfarë i provokojnë disa, si duket edhe në Kosovë edhe në Shqipëri ka njerëz që paguhen të na i ftohin raportet”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat