Protesta për Valbonën, aktivistët ankimojnë vendimin e Gjykatës së Tropojës

Shqipëria

Protesta për Valbonën, aktivistët ankimojnë vendimin e Gjykatës së Tropojës

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 20:42
Vendimi i Gjykatës

Aktivistët e mjedisit, që po merren me kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, ankimuan në Gjykatën e Apelit në Shkodër vendimin e Gjykatës së Tropojës, që pengonte përmbaruesit shtetërorë të ndërpresin punimet për ndërtimin e HEC-eve në lumin e Valbonës.

Paralelisht ata protestuan përpara Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që ajo të ndërhyjë, në një kohë kur Gjykata e Tropojës ka dhënë një vendim të paprecedentë, duke ndaluar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, që ndalonte vazhdimin e mëtejshëm të punimeve mbi shtratin e Valbonës.

“Është diçka unike që një vendim i një gjykate të shkallës së dytë, apo Apelit, të anulohet nga një gjykatë e Shkallës së Parë. Këtu jemi në një situatë të tillë, që Ministria e Drejtësisë dhe konkretisht ministrja duhet të ndërpresë pushimet për t’u marrë me këtë çështje urgjentisht”, tha Lavdosh Ferruni, aktivist për mbrotjen e mjedisit.

Ata thonë se betejën ligjore do ta çojnë deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Duam që të kalojmë hapat ligjorë të Republikës së Shqipërisë. Por fundin, kjo lloj beteje shkencore, civile e qytetare, e ka në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha Sazan Guri, aktivist për mbrojtjen e mjedisit.

Nëse Gjykata e Apelit në Shkodër nuk e merr parasysh ankesën e ativistëve të Shoqatës “Toka”, atëherë vendimi i Gjykatës së Tropojës merr formë të prerë dhe ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë do të vazhdojë normalisht, edhe pse ndaj tyre ka një vendim të gjykatës së një shkalle më të lartë, që kërkoi ndërprerjen e punimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat