Një 22-vjeçar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Burime nga Policia thanë se i riu me iniciale J.B. është futur në vaskë për t’u larë, por është gjetur aty i pajetë.
Ngjarja është raportuar në Polici në orën 08:25 të mëngjesit nga gjyshja e të riut. Ka qenë e moshuara, që e ka gjetur nipin të pajetë dhe e tmerruar nga ajo çfarë kishte ndodhur, ka nxituar të lajmërojë prindërit e tij dhe Policinë.
Burimet thanë se në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.4, që kanë kryer veprimet e parahetimore. Trupi i 22-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku mjekët do të kryejnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Nga këqyrja e banesës ku ndodhi ngjarja, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, nuk janë konstatuar prova që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen. Policia ka marrë në pyetje familjarët e të riut, për ndonjë sëmundje nga e cila mund të vuante. Sipas tyre, 22-vjeçari J.B. ishte epileptik dhe herë pas here kishte kriza.
Ndërsa mëngjesin e djeshëm, askush nuk ka dëgjuar ndonjë shqetësim që ai mund të ketë pasur. Në momentin e ngjarjes, në shtëpi ndodhej vetëm viktima dhe gjyshja e tij. Djali është futur për t’u larë, por është vonuar më shumë se zakonisht.
E shqetësuar, gjyshja i ka trokitur disa herë në derë, duke i thirrur, por ai nuk përgjigjej. Më pas ka arritur të hapë derën e tualetit dhe e ka gjetur nipin në vaskë. Pasi i ka thirrur disa herë, ajo ka kuptuar se djali kishte vdekur dhe ka lajmëruar Policinë.