Ekonomia në Shqipëri me trend pozitiv, rritje e punësimit dhe e pagave

Shqipëria

Ekonomia në Shqipëri me trend pozitiv, rritje e punësimit dhe e pagave

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Ekonomia shqiptare vijoi të ndjekë një trend pozitiv zhvillimi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një takimi me gazetarët për prezantimin e Raportit tre mujor të Politikës Monetare të 2018, deklaroi se aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke mundësuar zgjerimin e punësimit, rritjen e pagave, përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe forcimin gradual të presioneve inflacioniste.

“Këto zhvillime janë mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga  përmirësimi i besimit në ekonomi, nga kushtet e favorshme financiare, të  diktuara nga politika jonë monetare lehtësuese, si dhe nga goditje pozitive të ofertës”, tha ai.

Guvernatori vë në dukje se “pritjet  tona  për  të  ardhmen  mbeten  pozitive.  Megjithatë, materializimi i tyre kërkon ruajtjen e kahut lehtësues të politikës  monetare, ndërsa balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm”.

Më tej, Sejko theksoi se inflacioni mesatar i tremujorit të dytë regjistroi vlerën 2.2%, duke ardhur në rritje nga norma mesatare prej 1.9% e tremujorit të parë.

“Në veçanti, inflacioni shënoi vlerën 2.4% në muajin qershor. Balanca e  presioneve inflacioniste vazhdon të formohet nga një trend gradual forcimi të presioneve të brendshme dhe nga luhatje afatshkurtra të çmimeve të  artikujve specifikë të shportës së konsumit. Rritja e inflacionit në tremujorin  e dytë pasqyroi efektin rezultant të dy goditjeve të kahut të kundërt. Nga njëra anë, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare solli rritjen e kostove të prodhimit dhe ushtroi një ndikim rritës në  inflacion”, sqaron Sejko.

Nga ana tjetër, nënvizoi Guvernatori, forcimi i kursit të këmbimit frenoi  përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas.

“Faktori i parë ka pasur një intensitet më të fortë veprimi në tremujorin e dytë, por efekti i tij vlerësohet të jetë më i shkurtër në kohë.Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2020”, tha ai.

Sipas Sejkos, “ky parashikim  faktorizon dinamikën pozitive të rritjes  ekonomike dhe  pritjet tona për kthimin e ekonomisë në ekuilibër, në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm”.

“Këto gjykime gjejnë mbështetje nga të dhënat ekonomike e monetare të  gjashtëmujorit të parë. Ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në  tremujorin e parë dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë”, tha Guvernatori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat