Vit i mbarë për prodhuesit e duhanit

Shqipëria

Vit i mbarë për prodhuesit e duhanit

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 13:34
Duhan

Ndërkohë që tregu mbizotërohet nga duhan i përpunuar i kompanive të huaja, industria vendase e kultivimit të duhanit po rritet nga viti në vit. Edhe 2018, ka nisur mbarë për prodhuesit e duhanit, në rritjen e sasisë por edhe në gjetjen e hapësirave në tregjet e huaja për tregtimin e këtij produkti.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se për periudhën Janar-Qershor 2018, eksporti i duhanit të papërpunuar thuajse është dyfishuar, duke u regjistruar me rritje prej 92.7 %.

Konkretisht gjatë gjysmës së parë të këtij viti është eksportuar 508 ton duhan i papërpunuar, nga 267.5 ton që është eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu edhe në vlerë monetare rritja ka qenë e kënaqshme, duke u regjistruar në 230.8 milionë lekë nga 119.8 milionë që ka qenë gjatë 6-mujorit të parë të 2017-së, me një rritje prej 111 milionë lekëve.

Kultivimi dhe tregtimi i duhanit është i zhvilluar në disa zona të vendit, si në Shkodër apo dhe në zonën e Dumresë në Elbasan. Por vështirësitë në tregtimin e këtij produkti kanë qenë të mëdha ndër vite edhe pse industria e duhanit krijon të ardhura për mijëra familje në këto zona.

Pavarësisht këtyre shifrave që janë të mira krahasuar me një apo dy vit më parë, pas viteve ’90 kultivimi i duhanit është tkurrur ndjeshëm.

Mungesa e industrisë vendase për prodhim cigare, defektet e politikave agrobujqësore dhe konkurrenca nga importi ka shkaktuar rënie dhe tkurrje të kultivimit edhe eksportit të duhanit. Aktualisht konsumi i cigareve në vend, dominohet nga importi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat