“Rama u ka dhënë miqve të tij 70 mln euro për një vit”

Shqipëria

“Rama u ka dhënë miqve të tij 70 mln euro për një vit”

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 13:40
Edi Rama

Drejtuesja e Departamentit të Antikorrupsionit pranë Partisë Demokratike, Lealba Pelinku, ka hedhur akuza mbi qeverinë Rama, se në Shqipëri nuk ka konkurrencë të hapur dhe 1 në 3 tendera janë dhënë pa garë.

Në një deklaratë për mediat, Pelinku deklaron se vetëm për një vit, Rama u ka dhënë miqve të tij pa garë 70 milionë euro. Ajo ngre alarmin, duke thënë se korrupsioni është në nivele alarmante.

Sipas saj, nëse kjo qeveri do të kishte respektuar rregullat e garës, duke shpallur fituese ofertën më të ulët, do të ishin kursyer 44 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka dalë me të njëjtin konkluzion si disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Shtetit, apo Gjykata Europiane e Auditit, se në Shqipëri nuk ka konkurencë të hapur, dhe 1 në 3 tendera janë dhënë pa garë.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se korrupsioni është në nivele alarmante, dhe se qeveria e Edi Ramës është kampione e korrupsionit.

Përkthimi në shifra i mungesës së konkurencës në shpenzimin e parave publike, zbulon se qeveria e Edi Ramës i ka dhënë klientëve të saj ne 1 vit 70 milionë euro pa garë, duke rritur në mënyrë alarmante këtë procedurë korruptive, në krahasim me vitin e parë të qeverisjes.

Mënyra tjetër për të grabitur paratë publike është pjesëmarrja në tender e vetëm 1 kompanie. Edhe në këtë procedurë korruptive, konkurrenca ka munguar plotësisht në 30 % të rasteve, duke paracaktuar fituesin e preferuar të qeverisë, per ndarjen së bashku te miliona eurove të tjera nga taksat.

Kompanitë e tjera, pa njohje dhe mbështetje qeveritare nuk kanë ku të ankohen për mungesën e konkurrencës, pavarësisht se ligji ua njeh këtë të drejtë.

Nëse ankohen, rezultati i vetëm është futja në listën e zeze të Engjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Njeriu që bën punët e pista të Edi Ramës ka marrë nën kontroll të plotë Komisionin e Prokurimit Publik, institucion që, në vend të trajtonte me drejtësi ankesat e biznesit, është kthyer në noter të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës.

Mungesa e konkurrencës ka sjellë që fondet publike të shpërdorohen pa kriter dhe, si në asnjë vend tjetër, të mos i kursehet asnjë qindarkë buxhetit të shtetit.

Nëse kjo qeveri nuk do të ishte kampione e korrupsionit dhe të kishte respektuar rregullat e garës duke shpallur fituese ofertën më të ulët, do të ishin kursyer 44 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

Shpenzimet e kësaj qeverie barbarësh janë marramendës. Ndërkohë që çdo ditë mbyllen 45 biznese, varfëria rritet dhe 133 mijë nxënës kane braktisur shkollën, kampionët e babëzisë dhe korrupsionit kanë blerë 229 milionë euro makina, karburant, bileta avioni, fasada të mjerimit urban, pajisje për zyra e komoditete të tjera për luksin e tyre.

Situata alarmante ka një dhe vetëm një përgjegjës, Edi Ramën, interesat korruptive të të cilit po pengojnë zhvillimin e ekonomisë, po pengojnë punësimin, po ndalin investimet e huaja.

Partia Demokratike beson se një ekonomi e lirë tregu, ku të gjithë garojnë të barabartë, me taksa të ulura e pa burokraci do të çlirojë kapitalin e do të rrisë investimet në ekonomi.

Rishikimi i ligjit të koncesioneve dhe prokurimeve për të siguruar konkurrencë të lirë, së bashku me Ligjin Antimafia, që do të kthejë tek shqiptarët çdo cent të vjedhur, do të jetë prioritet në luftën e Partisë Demokratike kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përfundon deklarata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat