Njohja e patentave me Greqinë, si do të konvertohen

Shqipëria

Njohja e patentave me Greqinë, si do të konvertohen

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 09:46
Ilustrim

DPSHTRR zbardh marrëveshjen për njohjen e lejeve të drejtimit mes dy vendeve fqinje. Konvertimi bëhet sipas periudhës së vlefshmërisë. Drejtuesve të mjeteve u kursehen deri në 1000 euro

Marrëveshja për njohjen e patentave mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka hyrë dje në fuqi. Nga ky pakt mes dy qeverive, qytetarë shqiptarë që jetojnë në Greqi, por edhe anasjellas, do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm me mjetet e tyre, ndërsa lejet e drejtimit nuk do të jenë më problem në postblloqe, apo kontrollet rutinë të policisë rrugore. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka publikuar udhëzimin e detajuar, i cili parashikon edhe rregullat për konvertimin e lejeve nga të dy krahët, bazuar mbi afatet e vlefshmërisë së tyre. Ajo çka bëhet e ditur në shpjegimin  e DPSHTRR-së, është fakti se marrëveshja është e lidhur në një afat të pacaktuar. Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një ndikim financiar nga 700 deri në 1000 euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.

Njohja

Sipas marrëveshjes, shtetasit shqiptarë, mbajtës të lejedrejtimit shqiptare, Modeli I (lëshuar nga data 01 korrik 2005) ose Modeli II (lëshuar nga data 24 janar 2017), mund të drejtojnë mjete në territorin grek, brenda periudhës së vlefshmërisë së lejedrejtimit, për sa kohë nuk kanë vendosur rezidencën normale në shtetin grek. Shtetasit grekë, mbajtës të lejedrejtimit greke Modeli I (lëshuar deri më 11 janar 1987), Modeli II (lëshuar nga data 12 janar 1987 deri më 31 mars 1997), Modeli III (lëshuar nga data 01 prill 1997 deri më 30 prill 2001), Modeli IV (lëshuar nga data 02 maj 2001 deri më 18 janar 2009), Modeli V (lëshuar nga 19 janar 2009 deri më 18 janar 2013), Modeli VI (lëshuar nga 19 janar 2013), mund të drejtojnë mjete në territorin shqiptar me lejedrejtimet kombëtare të lëshuara nga shteti grek, brenda periudhës së  vlefshmërisë së lejedrejtimit, për sa kohë nuk kanë vendosur rezidencën normale në shtetin Shqiptar.

Konvertimi

Në momentin që shtetasit Shqiptar vendosin rezidencën normale në shtetin Grek, ata mund të konvertojnë lejedrejtimin Shqiptare, në lejedrejtimi Greke, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale në Shtetin Grek, pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike, si dhe të sigurojë një përkthim zyrtar të lejedrejtimit Shqiptare,  në gjuhën Greke, pa qënë e nevojshme kryerja e testeve teorike dhe praktike. Për konvertimin e lejedrejtimit Shqiptare në lejedrejtimi Greke, mbajtësit e saj duhet të kenë moshën e parashikuar në legjislacionin e shtetit Grek, shkruan shekulli. Në momentin që shtetasit Grek vendosin rezidencën normale në territorin Shqiptar, ata mund të konvertojnë lejedrejtimin Greke, në lejedrejtimi Shqiptare, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shtetit Shqiptar, pas kryerjes së  kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike, si dhe të sigurojë një përkthim zyrtar të lejes së drejtimit Greke, në gjuhën Shqipe, pa qenë e nevojshme kryerja e testeve teorike dhe praktike. Për konvertimin e lejedrejtimit Greke në lejedrejtimi Shqiptare, mbajtësit e saj duhet të kenë moshën e parashikuar në legjislacionin e shtetit Shqiptar.

Vendimi

Sipas vendimit të marrë në datën 31 korrik, leja e drejtimit e lëshuar nga autoritetet kompetente të secilës Palë Kontraktuese pushon së qenuri e vlefshme për drejtimin e mjeteve në territorin e Palës tjetër Kontraktuese nga data në të cilën mbajtësit e një leje të tillë drejtimi i jepet rezidenca normale në atë Palë tjetër Kontraktuese. Neni 3 përcakton se për qëllimet e kësaj marrëveshjeje, termi “rezidencë normale” ka kuptimin që i jepet atij nga legjislacioni i brendshëm përkatës i Palëve Kontraktuese.

Rregullorja

Nëse mbajtësi i një lejeje drejtimi të lëshuar nga autoritetet kompetente të secilës Palë Kontraktuese i është dhënë rezidenca normale në territorin e Palës tjetër Kontraktuese, autoritetet kompetente të asaj Pale tjetër Kontraktuese konvertojnë lejen pa kërkuar kryerjen e testeve teorike dhe praktike.

Autoritetet kompetente të Palës Kontraktuese që kryejnë konvertimin kërkojnë një vërtetim mjekësor, i cili vërteton se një person është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike.

Mbajtësit e lejeve të drejtimit duhet të kenë moshën e parashikuar nga legjislacionet e brendshme përkatëse të Palëve Kontraktuese për lëshimin e kategorisë për të cilën kërkojnë konvertimin.

Shifra

700 deri në 1000 kushtonin deri dje procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi

Legalizime dhe kompensime, si shpërblehen pronarët

Mbi 25 vite legalizime në vit, por edhe buxheti në rritje për kompensimin e pronarëve do të jenë objektiva të qeverisë deri në fund të mandatit. Përmes pagesave të legalizimeve nga familjet që kanë ndërtuar pa leje,  pritet të shkojë në progresion rritës edhe fondi për pronarët, kompensimi i tyre parashikohet të mbyllet tërësisht brenda një dekade. Në strategjinë afatmesme 2019-2021 janë parashikuar edhe shifrat buxhetore. Kështu, nga procesi i legalizimeve parashikohet të sigurohen 1.1 miliardë lekë në vit, ndërsa për kompensimin e pronës, synohet që nga 68% që është aktualisht në vitin 2021 të shkojë në masën e 99%. Në këtë aspekt, buxheti i kësaj ministrie do të pësojë një rritje të konsiderueshme me 1 miliard lekë çdo vit deri në vitin 2021. Aktualisht buxheti i Ministrisë së Drejtësisë është në vlerën e 10.4 miliardë lekëve. Ndërkohë që në vitin që vjen ky buxhet do të shkojë në 11.8 miliardë lekë. Shërbimi i kthimit dhe i kompensimit të pronave do të zërë edhe vlerën më të madhe të këtij buxheti .

Fondi i kompensimit

Ligji i pronës, synon t’u japë zgjidhje 26 mijë vendimeve që janë tashmë përfundimtare dhe 11 mijë të tjerave që do të shqyrtohen përgjatë 3 viteve që pasojnë. Pra, në total janë 37 mijë familje që do të marrin pjesën që u takon, për një pronë të mohuar për vite të tëra. Për këtë numër pronarësh, qeveria ka menduar të vërë në dispozicion 50 miliardë lekë, të cilat do të ndahen me këste përgjatë 10 viteve. Në vitin e parë të hyrjen në fuqi të ligjit, pra në vitin aktual 2016, qeveria dha 3 miliardë lekë, në 2017 ndau 3.33 miliardë lekë, në 2018 do japë 3.69 miliardë lekë, në 2019 do japë 4.10 miliardë lekë, në 2020 do japë 4.54 miliardë lekë, në 2021 do japë 5.04, në 2022 do japë 5.59 milionë lekë, në 2023 do japë 6.20 miliardë lekë, në 2024 do japë 6.88 miliardë lekë dhe në 2025 do japë 7.63 miliardë lekë.

Metodologjia e vlerësimit

Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë: prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen  financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat