Veliaj: Zëvendësojmë rrjetin e vjetër të viti ’63, dyfishim të prurjes së ujit

Shqipëria

Veliaj: Zëvendësojmë rrjetin e vjetër të viti ’63, dyfishim të prurjes së ujit

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 13:15
Tiranë

Bashkia e Tiranës dhe UKT ka nisur shtrimin e një linje të re përgjatë Rrugës së “Kavajës”, ç’ka do të sjellë një shpërndarje më të mirë në rrjetin e ujësjellësit, si dhe ujë më cilësor për banorët e kësaj njësie ku përfitojnë 28 mijë banorë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe theksoi se ky investim vjen edhe si një shpërblim për një nga lagjet që është më korrekte në pagesën e ujit.

“E gjithë zona e Njësisë 7 ka rreth 28 mijë banorë, të cilët përfitojnë nga ky rrjet i ri ujësjellësi. Është një nga njësitë model dhe më shembullore me mbi 95% në pagesat e ujit, do të thotë që do të marrin mbi 95% të investimeve të zonës. Besoj se shpërblimi me punë i atyre që janë të rregullt ne pagimin e këtij malli të çmuar, si uji, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është fabula e bashkisë sonë’, deklaroi kreu i bashkisë së Tiranës.

Veliaj pohoi se rrjeti i ri zëvendëson rrjetin e vjetër të vitit ’63, i cili ishte totalisht i amortizuar. “Rrjeti i ri zëvendëson një rrjet të vjetër para 55 vjetësh, një rrjet gize totalisht i amortizuar dhe tani kalojmë nga 1.5 bar të presionit të ujit në 3 bar. Do të thotë që dyfishohet presioni dhe në pjesën më të mirë të pallateve nuk do të ketë më as nevojë për pompa elektrike që çojnë ujin deri në katet fundore”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se puna do të vazhdojë edhe me dy projektet madhore, sipas marrëveshjes së bërë tashmë me BERZH. “Do të vazhdojmë me këtë ritëm me investimet e ujësjellësit dhe sigurisht, dy investimet madhore të 6-mujorit të dytë do të jenë dyfishimi i kapacitetit filtrues të Bovillës me kredinë e BERZH-it, si dhe linja direkte nga Bovilla deri te Astiri”, theksoi Veliaj.

Drejtori i UKT-së, Redi Molla sqaroi më tej se kjo është faza e dytë e investimit në këtë zonë, që përfshin nga Rruga e Kavajës deri tek Rruga e Durrësit dhe nga Rruga e Kavajës në krahun tjetër të Tiranës.

“Është zëvendësimi i tubit të gizës që rrit presionin, nga 1.5 e çon në çdo kat, pra presioni i ujit mund të arrijë deri në kat të pestë apo të gjashtë të çdo pallati të vjetër, pa sistemin e pompimit. Përveç kësaj eliminon edhe të gjitha humbjet e tubit të gizës të amortizuar që është shtruar në vitin ’63, eliminon ndotjet që është një ndër gjërat më të rëndësishme. Kompleton edhe disa faza, që kemi filluar që vitin e kaluar, për pjesën e rrugës “Naim Frashëri” dhe paraprin fazën që do të vazhdojë nga “21 Dhjetori”, në Unazë të Mesme, deri në “Vasil Shanto””, përfundoi Molla. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat