Shkëlqimi i biznesit të Spa-ve: Shqiptarët po kërkojnë relaksin

Shqipëria

Shkëlqimi i biznesit të Spa-ve: Shqiptarët po kërkojnë relaksin

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Me rritjen e urbanizimit dhe klasës së mesme, kërkesa për Spa-të parashikohet të rritet në një ekonomi në zhvillim, duke ofruar mundësi të reja për zgjerim aktiviteti në këtë sektor. Para dy vitesh, në Shqipëri numëroheshin rreth 25 të tilla, tani numri i tyre është pothuajse dyfishuar … 

Me një jetë dinamike dhe me rritjen e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, shumë njerëz po kërkojnë mënyra për t’u kujdesur për shëndetin dhe për t’iu larguar stresit të përditshëm. Spa-të, një ndër bizneset më në ekspansion në 5 vitet e fundit, ofrojnë një mënyrë të re për njerëzit për një jetesë të shëndetshme, me mundësi të shumta që të zgjedhin shërbimin që u duhet. Vendimi për të shkuar në një Spa specifike mund të vijë si nevojë për t’u qetësuar nga lodhja e një jave të ngarkuar ose për shkak të rekomandimit të mjekut. Spa-të janë një vend i mirë për të marrë një dietë të re dhe një regjim stërvitje, i cili i përshtatet një jetese të veçantë.

Kudo në botë, Spa janë një destinacion popullor për kujdesin ndaj shëndetit dhe relaksimin e trupit. Shërbimet si masazhet e trupit, fytyrës, dhe trajtime të tjera ofrohen në këtë oaz shërbimi. Edhe në Shqipëri, Spa-të, me rritjen e numrit të tyre, gjenden lehtësisht në disa qendra tregtare, rrugë, hotele, qendrave sportive etj.

Sipas ekspertëve të fushës, spa konsiderohet një ambient i thjeshtë, me një tavolinë masazhi dhe një krevat për trajtimin e trupit, ndërsa forma të tjera janë destinacione luksoze që tërheqin turistët nga e gjithë bota. Kjo po ndodh edhe në vendin tonë. Tirana kryesisht, por edhe të gjithë hotelet e vijës bregdetare të Shqipërisë, janë shndërruar në destinacione tërheqëse për turistët (por edhe frekuentuesit besnikë shqiptarë) duke qenë se ambienti i tyre Spa ka më shumë se sa një krevat e tavolinë. Një numër i madh biznesesh, për shkak të konkurrencës, kanë investuar për të pasur një qendër Spa me shërbime dhe facilitete, si dhe mjetet e teknologjisë së fundit.

Në vendin tonë, dy janë format e ofrimit të shërbimeve të ashtuquajtura të “mirëqenies”: qendrat e “Spa dhe beauty” kryesisht brenda qyteteve të mëdha, si Tirana, Durrësi, Vlora etj. Forma tjetër janë qendrat e ndërtuara pranë burimeve të ujërave termale, që ofrojnë një tjetër pamje të kësaj industrie në zhvillim: një turizëm të mirëfilltë të mirëqenies. Këto të fundit kanë pasur zhvillim që herët, por vitet e fundit kanë investuar më tepër në krijimin e lehtësive dhe shërbimeve pranë burimeve të “nënës natyrë” si në llixha, banja termale etj., duke përfshirë akomodimin, ushqimin etj.; Qendrat e Spa në qytete kanë parë zhvillim të vrullshëm në katër vitet të fundit, me dyfishim të numrit krahasuar me më parë.

Nëse do të flisnim për këto qendra Spa para 2 viteve, numri i tyre ishte rreth 20 në të gjithë vendin, ndërsa sot i kapërcen 40 të tilla. Shtimi i klientëve, siç pohojnë edhe vetë, ka rritur nevojën e hapjes së qendrave, si dhe hotelet në bregdet, sidomos ato të ndërtuara dy vitet e fundit kanë përfshirë një qendër Spa në ambientet e tyre, si përpjekje për tërheqjen e turistëve.
Disa nga drejtuesit e këtyre qendrave thonë se numri i frekuentuesve është rritur vit pas viti dhe po kujdesen më shumë për veten. Ata pohojnë se ky trend ja ardhur nga jashtë, i cili madje po përqafohet edhe nga meshkujt.

Menaxherja e Velur Spa thotë për “Monitor” se në më shumë se një dekadë që janë në treg, fillimisht kanë ‘luftuar’ me mentalitetin për ofrimin e trajtimeve të tilla. “Aktiviteti ka ardhur me rritje vjetore. Përqindja e klientëve femra dhe meshkuj është e barabartë. Së fundi, meshkujt janë bërë konsumatorë të rëndësishëm të të gjitha shërbimeve në një Spa.”- shprehet ajo.
Duke i dhënë rëndësi edhe trajtimeve mjekësore, shërbim i cili ndryshe nga ai ‘luks’, është konsideruar si nevojë, menaxherja e Velur Spa pohon se aparaturat e trajtimit po hedhin bazat e një risie për Shqipërinë në fushën Spa që janë Medical Spa, fushë shumë e zhvilluar jashtë vendit me fitime të larta.

Menaxherja e La Vie en Rose shprehet se mosha e frekuentuesve besnikë nis nga 28 vjeç e sipër (që kryesisht janë të punësuar) duke qenë se mundësitë më të mëdha ekonomike bëjnë që ata t’i kushtojnë më tepër kujdes mirëqenies së trupit, por edhe psikologjike. Sipas saj, ideja e vetë Spa-së është relaksi nga një ditë e lodhshme apo shkëputja nga rutina e zakonshme për të përkëdhelur pak veten, të gjithë e meritojnë këtë gjë, pavarësisht moshës apo gjinisë.

Jo më një luks

Plakja, sëmundjet nga mënyra e jetesës, mangësitë në sistemin tradicional mjekësor në parandalimin dhe trajtimin e disa sëmundjeve janë duke nxitur më tepër njerëz drejt marrjes së shërbimeve të mirëqenies, edhe si një mënyrë parandalimi. Frekuentimi i Spa-ve nuk konsiderohet më një luks

Menaxherja e Bamboo Spa Hammamm thotë se shërbimi i tyre është i fokusuar te hamami ndonëse ofron edhe larmishmëri në shërbime. Hamami, për të cilin ka kërkesë në rritje sidomos dy vitet e fundit është shndërruar në tendencë dhe formë relaksimi, i ndërthurur me përfitimet shëndetësore.

Menaxherja e AS SPA thotë se kultura për kujdesin ndaj vetes ka filluar të jetë pjesë stilit të jetës së çdo individi edhe në Shqipëri. “Nuk mund të bëj diferencime meshkuj ose femra. Por shoh interesim nga të dy gjinitë. Ecuria është në rritje sipas kërkesës (nga klienti) dhe ofertës (që ne ofrojmë) për shërbime të ndryshme.”

Ajo thotë se kostoja e një biznesi të tillë është e lartë sepse në qoftë se, gjithmonë do të kesh një qendër me parametra bashkëkohorë duhet të investosh që të japësh më të mirën dhe në fund të marrësh produktin e punës tënde. Burime nga Tirana International Spa dhe Diplomat Spa në Tiranë pohojnë se klientët e hoteleve, kryesisht të huajt, janë vizitorët kryesorë të Spa të hoteleve të tyre. Madje, ndërtimi i tyre si pjesë e aktivitetit kryesor të tyre ka ardhur si nevojë e kërkesës në rritje dhe zhvillimit të këtij tregu. “Klientët tanë të huaj na pyesnin gjithnjë për një qendër të tillë, si nevojë për të pushuar pas një dite të gjatë me takime biznesi”,- pohon një përfaqësuese e Tirana International Spa.

Dy-tre vitet e fundit, një pjesë e madhe e hoteleve në vijën bregdetare të Shqipërisë kanë përfshirë qendrën Spa në ambientin e tyre si një tërheqje për klientët.

Duke nisur nga hotelet në Shëngjin e deri në Jug në Rivierën Shqiptare. Në Durrës, numri i tyre ka ardhur në lulëzim, 5 hotele në këtë zonë i kanë shërbimet spa si një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të tyre, duke marrë në konsideratë që edhe numri i turistëve të huaj në këtë zonë (kryesisht europianoqendrorë) është rritur që prej vitit 2014.

Tregu global i SPA

Sipas First Research Inc., në vitin 2015 ka pasur 120,000 spa nëpër botë që gjeneruan rreth 99 miliardë dollarë të ardhura. Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh i Spa, me 21,000 objekte dhe 16 miliardë dollarë të ardhura. Megjithatë, kërkesa për Spa-të po rritet jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën. Tregu global i Spa parashikohet të rritet me një normë vjetore prej 5.66% nga viti 2017 deri në vitin 2021, raporton Technavio.

Kërkesa për shërbime Spa lidhet me rritjen e të ardhurave personale, turizmin dhe tendencat e tjera demografike, por ritmi i shprejtë i jetës moderne mund të rrisë nevojën për këto shërbime të mirëqenies, sipas Beth McGroarty, drejtor i kërkimeve dhe PR në Institutin Global Wellness.

“Faktori kryesor i frekuentimit të spa-ve është stresi. Njerëzit, për shkak të mosshkëputjet 24/7 nga jeta profesionale, mungesës së kufijve ndërmjet mes jetës profesionale dhe asaj personale dhe faktit që deri në 2030, 80% e popullsisë njerëzore do të jetojnë në zona urbane, të privuar nga natyra, priren të frekuentojnë Spa-të”, – tha ajo në një artikull të botuar në DAYSPA.
Siç thotë McGroarty, Spa janë “oaze” ku njerëzit mund të largohen nga kaosi i jetës së përditshme, t’i gëzohen qetësisë për pak kohë, të lidhen me natyrën dhe të gjejnë një ndjenjë të ekuilibrit.

Turizmi

Turizmi global po rritet dhe turistët synojnë të marrin trajtime mirëqenie në udhëtimet e tyre. Duke qenë se turizmi projektohet se do të vijojë të rritet, edhe turistët do të kërkojnë më tepër kushte për udhëtimet e tyre si zgjedhja e hoteleve që ofrojnë edhe shërbime Spa, fitness etj.
Bizneset po sjellin si risi shërbimet e mirëqenies për konsumatorët, kurse shumë klientë po i adoptojnë këto shërbime si modele të jetesës. Shërbimet Spa kanë ndryshuar në këto 10 vitet e fundit, duke u përmirësuar, duke gjetur forma të reja, personel më profesional dhe standarde të mira. Bizneset u janë përgjigjur në këtë formë: resorte me shërbime Spa, adoptim i praktikave të shërbimit me masazhe, zhvillim i zonave dhe investime të reja në burimet termale etj.

Tendencë

Një trend i rëndësishëm i industrisë së spa-ve është personalizimi i produkteve dhe shërbimeve. Konsumatorët që kërkojnë një përvojë premium nuk duan trajtime të njëjta me të gjithë, por për një përvojë më të personalizuar.

Burimet e qendrave Spa të kontaktuara në Tiranë dhe Durrës, pohojnë se me qëllim ofrimin e trajtimeve efektive spa për klientët e tyre, qendrat Spa janë duke u fokusuar në ofrimin e terapive të personalizuara.

Nëpërmjet këtyre shërbimeve, klientët do të përmirësojnë rezultatet e tyre të trajtimit, duke i vënë në qendër të vëmendjes kur u ofrohet ky shërbim. Konsumatorëve u kërkohet të identifikojnë shqetësimet specifike mendore ose në pjesët e trupit që ata dëshirojnë të përqendrohen në terapi. Ata mund të zgjedhin lloje të ndryshme të trajtimeve si qetësimin, masazhe, balancimin, ose rienergjizimin e trupit.
Përveç shërbimeve të personalizuara, Spa po përqendrohen edhe në forcimin e pozicionimit të markës së tyre për të mbështetur çmimet Premium ose ofrimin e paketave promocionale për tërheqjen e klientelës, në kushtet e një konkurrence të fortë.

Ujërat termale, si spa natyrore

Sipas një raporti të Global Wellnes Tourism, numërohen rreth 26 mijë qendra të ndërtuara pranë ujërave termale, në 103 shtete në të gjithë botën, që ofrojnë: masazhe për mirëqenie dhe qetësi, ashtu sikurse edhe për kura dhe terapi. Në mënyrë të përbashkët, të gjithë këto qendra në vitin 2013 fituan mbi 50 mld dollarë. Në mesin e këtyre qendrave, 6500 të tilla ofronin vetëm shërbime Spa si masazhe trupore dhe faciale etj., pjesa më e madhe e të cilave, ndodhen në qytete të mëdha, larg burimeve termale.

Studimi i Global Wellness Tourism Economy thekson se turizmi i ashtuquajtur i mirëqenies parashikon udhëtimet që bëhen për shkak të marrjes së shërbimeve të tilla të mirëqenies në vende të tjera, turizëm që po shikon rritje, sidomos dekadën e fundit. Sa u përket burimeve të ujërave termale dhe “kurative” në vendin tonë, përmendim:

-Ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative ndaj reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor.

-Llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku dhe trajtohen sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake.

-Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, efektet e të cilave trajtojnë sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.

-Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme siç janë Kroi i Bardhë në Komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës etj.

-Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden saktësisht 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, Komuna Petran, ku gjashtë burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës. Burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës.

Ngjarjet që ‘ushqejnë’ zhvillimin e këtij biznesi

Summer time, wedding packet, bacholerette party, girls night, birthday etj. Sipas menaxherëve të Spa-ve në Tiranë, ditëlindjet, festat e beqarisë, surprizat nga partneri ose miqtë, janë ndër më mjetet kryesore që sjellin klientë në qendrat e Spa-ve. Është bërë modë që vajzat mblidhen të bëjnë festën e beqarisë në një qendër të tillë, duke marrë shëbrime të gjitha bashkë si paketë ose duke ia ofruar vetëm nuses së ardhshme. Drejtuesit e këtyre bizneseve thonë se është bërë e zakonshme blerja e kuponëve me këto lloj shërbimesh për t’ia dhuruar për ditëlindje ose për t’ia bërë surprizë dikujt të afërt.

Tendenca

Njerëzit, për shkak të mosshkëputjes 24/7 nga jeta profesionale, mungesës së kufijve ndërmjet mes jetës profesionale dhe asaj personale, dhe faktit që deri në 2030, 80% e popullsisë njerëzore do të jetojnë në zona urbane, të privuar nga natyra, priren të frekuentojnë Spa-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat