Meta për Kurban Bajram: Kjo Festë vërteton bashkëjetesën fetare që karakterizon kombin tonë

Shqipëria

Meta për Kurban Bajram: Kjo Festë vërteton bashkëjetesën fetare që karakterizon kombin tonë

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 22:40
Ilir Meta

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kreu i Shtetit Ilir Meta bën një urim për të gjithë besimtarët myslimanë.

Ai shkruan se kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore.

Sipas Metës kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.

Urimi i Presidentit Meta:

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

Dita e shenjtë e Kurban Bajramit na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të Plotfuqishmit.

Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë.

Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.

Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj të uroj besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen:

Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e Kurban Bajramit!

Ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja si dhe mes njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë!

Sa më tepër paqe, tolerancë, mirëbesim e begati!

Zoti i ndihmoftë shqiptarët dhe Shqipërinë për jetë të jetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat