Vjeshta politike/ Sesioni i ri, 10 nismat që do ‘ndezin’ Parlamentin

Shqipëria

Vjeshta politike/ Sesioni i ri, 10 nismat që do ‘ndezin’ Parlamentin

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 07:35
Foto ilustrim

Kuvendi i Shqipërisë do të nisë në 3 shtator sesionin e ri parlamentar. Çeljes së sesionit të ri do t’i paraprijë Konferenca e Kryetarëve, e cila do të përcaktojë kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit.

Gjatë këtij sesioni, Kuvendi do të përballet me disa sfida të vështira, tejkalimi i të cilave mundësohet vetëm me konsensus politik, pra më votat e opozitës, në një kohë kur kjo e fundit është fokusuar tek rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një qeverie anti-mafia. Sfida kryesore e Parlamentit konsiston në avancimin e mëtejshëm të zbatimit të reformës në drejtësi dhe adresimin e krizës që po prodhon boshatisja e gjykatave dhe prokurorive, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.

Për të plotësuar në një kohë sa më shpejtë vendet vakante në gjykata dhe prokurori, mazhoranca ka propozuar një ndërhyrje në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për miratimin e të cilit duhen 84 vota. Nisma parashikon që t’i hapë rrugë Shkollës së Magjistraturës për të pranuar kandidatë për magjistratë, deri kur të ngrihen KLP dhe KLGJ, ndërsa KLD të emërojë në drejtësi kandidatët që janë diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës. Ky projektligj do të jetë në krye të agjendës së këtij sesioni parlamentar, i cili pritet të prodhojë debate të forta, por edhe tentativa për kompromis, mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike dhe LSI kanë refuzuar votimin e projektligjit, ndërsa kanë vendosur disa kushte në këmbim të votave.

Tre janë skenarët e mundshëm për fatin e projektligjit që pret në Kuvend për t’u miratuar. Së pari, mazhoranca mund ta miratojë ligjin me 84 vota, duke siguruar 6-7 vota në radhët e LSI dhe PD. Për të evituar një skenar të tillë, në seancën e fundit parlamentare, PD dhe LSI bojkotuan Parlamentin. Së dyti, PS-PD-LSI mund të arrijnë një kompromis për miratimin e ndryshimeve. Ndërkaq, versioni më i mundshëm është shtyrja pa afat i votimit të nismës, për të pritur ngritjen e KPL dhe KLGJ.

Nismat e tjera

Një tjetër projektligj që pret votat e PD-LSI ka të bëjë me disa ndryshime në Kodin Rrugor. Nisma synon të shpëtojë emigrantët shqiptarë, shqiptarët e Kosovës dhe të huajt nga pezullimi i patentës me kusht që të paguajnë dyfishin e gjobës për shkeljen e Kodit Rrugor. Gjithashtu, shumica do të kërkojë votat e opozitës për miratimin e disa ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënimin me burg të personave që dhunojnë apo që vrasin kafshët. Nisma ligjore mbështetet nga 20 mijë qytetarë dhe vjen pas disa akteve makabre ndaj kafshëve, kryesisht ndaj qenve. Një tjetër nismë ligjore që mund të ‘ndezë’ në debate Parlamentin është projektligji për “për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”. Projektligji për funksionimin dhe organizimin e Presidencës është tërhequr përkohësisht, pikërisht për shkak të parashikimeve të debatueshme, por mund të rikthehet për shqyrtim dhe miratim në Parlament.

Dy ligje për koncesionet

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar që në fillim të vitit 2017 një projektligj për “për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Nisma parashikon përshpejtimin e procedurave dhe afateve në rastin e dhënies me koncesion/PPP të ndërtimit dhe të shfrytëzimit të burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar mbi 2MW, të cilat kanë vlerë investimi jo më pak se 100 milionë euro. Nisma mund të miratohet vetëm me votat e mazhorancës, por opozita mund të bëjë rezistencë, pasi koncesionet i ka konsideruar një praktikë korruptive të qeverisë. Ndërkaq, në fillim të vitit 2016, në Kuvend është deponuar një tjetër projektligj për koncesionet. Ligji parashikon kalimin e koncesioneve për miratim në Parlament.

Projektligjet e mbetura pezull

1.    Projektligj “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96, datë 6.10.2016 “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

2.    Ligji për ndërtimin e teatrit të ri, i kthyer pas për rishqyrtim nga Presidenti.

3.    Projektligji “për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar.

4.    Projektligj "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë"

5.    Projektligj “për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”.

6.    Projektligj “për një ndryshim në ligjin nr. 125/2013, “për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.

7.    Projektligji “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 “për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar” (2)

8.    Projektligj “për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore’

9.    Projektligj “për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr .8331, datë 21.4.1998 “për ekzekutimin e vendimeve penale” i ndryshuar.

10. Projektligj “për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Projektligjet e tërhequra

1.    Projektligji “për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

2.    Projektligj “për një shtesë në ligjin nr. 7651, datë 21.12.1992, “për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar.

3.    Projektligj “për krijimin e institutit të studimeve për kujtesën e luftës së dytë botërore”.

4.    Projektligj “për disa shtesa në ligjin nr. 112/2013, datë 04.04.2013 "për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

5.    Projektligji "për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë".

6.    Projektligj “për provimin e shtetit për profesionin e juristit”.   

7.    Projektligj "për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10465, datë 29.9.2011, “për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”.

8.    Projektligj “për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 69/2012, “për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

9.    Projektligji “për statusin e minatorit" (punonjësve të minierave në nëntokë)”.

10.   Projektligji “për një ndryshim në ligjin nr. 141/2016, “për dhënie amnistie”.

11.Projektligji “për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

12.Projektligj "për disa shtesa në ligjin nr. 138/2015" për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike" i ndryshuar,

13.Projektligj “për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat