Gjykata nuk lejon ankimim për veten. Absurdi në Tropojë me çështjen e HEC-it në Valbonë

Shqipëria

Gjykata nuk lejon ankimim për veten. Absurdi në Tropojë me çështjen e HEC-it në Valbonë

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 17:28

Gjykata e Tropojës vijon me vendime absurde sa i takon çështjes së ndërtimit të hidrocentralit Dragobia, në Lumin e Valbonës.

Pas vendimit për bllokimin e veprimeve përmbarimore, që kishin për synim ndaljen e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit, pas vendimit të Gjykatës Administrative, po i njëjti gjyqtar i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci, ka vendosur tani të mos pranojë ankimimin për vendimin që ka dhënë vetë për bllokimin e veprimeve përmbarimore.

Gjyqtari Seci ka vendosur të mos pranojë ankimin e shoqatës “Toka”, e cila i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit të Shkodrës për të kundërshtuar vendimin për bllokimin e veprimeve përmbarimore. Pra, i njëjti gjyqtar që bllokoi pezullimin e punimeve, vendos që të mos ankimohet vendimi i tij, me argumentimin se shoqata “Toka” nuk ka qenë palë në proces kur është marrë vendimi për bllokimin e përmbarimit.

Në një kohë kur shoqata “Toka” ka iniciuar procesin gjyqësor në Gjykatën Administrative, e cila vendosi pezullimin e punimeve mne hidrocentralin Dragobia deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Vendimi për mospranimin e ankimit është vazhdim i shkeljeve që Gjykata e Tropojës, me gjyqtarin e vetëm Dritan Seci, kanë marrë për këtë çështje.

Shkelja kryesore është vendimi për bllokimin e veprimeve përmbarimore për pezullimin e punimeve. Kjo pasi një gjykatë civile nuk mund të kundërshtojë apo të bllokojë ekzekutimin e një akti administrativ të marrë nga Gjykata Administrative. Më konkretisht, pika 2 e nenit 65 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative përcakton: “Çdo akt i nxjerrë apo veprim i kryer nga organi publik i paditur, pasi vendimi i Gjykatës Administrative është bërë i ekzekutueshëm, dhe që është në kundërshtim me dispozitivin e vendimit të gjykatës, është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk pengon ekzkeutimin”.

Pra, referuar përcaktimeve të këtij neni, zyra përmbarimore ka të drejtën dhe detyrimin ligjor që të ekzekutojë pezullimin e punimeve të hidrocentralit mbi Valbonë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Adminstrative, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Tropojës, të marra në kundërshtim me ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat