Komisioni “Tahiri”, Paloka letër Ruçit: Të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht Xhafaj dhe Veliu

Shqipëria

Komisioni “Tahiri”, Paloka letër Ruçit: Të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht Xhafaj dhe Veliu

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 18:42
Fatmir Xhafaj

Partia Demokratike i ka dërguar përmes Edi Palokes një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruci, ku kërkohet të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pasi sipas PD akuzohen për pengim të qëllimshëm të Komisionit Hetimor “Tahiri”.

PD thotë se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk i kanë vënë në dispozicion për 5 muaj asnjë dokument Komisionit Hetimor. PD akuzon Ministrin Xhafaj për asgjësim provash në mbrojtje të vëllait trafikant, si dhe Tahirit, Ballës, Çyrbjës etj.

“Edhe pse Komisioni Hetimor, që prej muajit Prill 2018, ka kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, deri më sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, Komisionit nuk i është vënë në dispozicion asnjë e dhënë apo dokumentacion i kërkuar, duke pamundësuar punën e tij. “-thuhet në letrën e Palokës.

Në letrën drejtuar Ruçit, Paloka shprehet se “pengimi i Komisionit Hetimor është bërë me qëllim për të fshehur gjurmët e lidhjes së Qeverisë me krimin e organizuar dhe për asgjësimin e informacioneve dhe provave që përfshijnë në veprimtari kriminale vëllain e dënuar për trafik droge të Ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jyrgys Çyrbja, etj. “

Edi Paloka thekson se heqja e të drejtës kushtetuese të opozitës për të kontrolluar qeverinë shënon fundin e parlamentarizimit dhe është dhunim flagrant i demokracisë funksionale në vend.

Partia Demorkatike i kërkon Kryetarit të Kuvendit të marrë masa për përgjegjësit e pengimit të qëllimshëm të Komisionit që do të hëtontë përfshirjen e qeverisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.

“Kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë qëndrim të prerë ndaj aktit të pengimit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, duke marrë masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë politike dhe ligjore Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pengimi i qëllimshëm i Komisionit Hetimor përbën shpërdorim detyre, që sjell shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi penale.” –thuhet në letrëne Palokës.

Duke vënë në dukje përfundimin e afatit të Komisionit Hetimor sot, më 5 Shtator Kryetari i Komisionit Hetimor, Edi Paloka, kërkoi në emër të Partisë Demokratike shtyrjen me 3 muaj të tjerë të veprimtarisë së Komisionit.

Komisionit Hetimor u ngrit këtë vit për të kontrolluar përfshirjen e qeverisë, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Policisë së Shtetit në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat