Nikolla në Fier: Tekstet të shpërndahen në kohë

Shqipëria

Nikolla në Fier: Tekstet të shpërndahen në kohë

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 21:31
Lindita Nikolla në Fier

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, kërkoi sot nga drejtorët e shkollave në qytetin e Fierit të shpërndajnë në kohë tekstet për vitin e ri shkollor 2018-2019.

Gjatë inspektimit në shkollat “Dino Ismaili” në Levan dhe në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ministrja Nikolla theksoi se “ky vit ka qenë perfekt në procesin e shpërndarjes së teksteve dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për tekstet falas për 190 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë, por edhe për të gjithë procesin tjetër, atë të shpërndarjes së teksteve edhe për klasat e tjera”.

Sipas saj, procesin e shpërndarjes së librave falas do ta zgjerojmë vitin që vjen edhe me nxënësit e klasës së pestë dhe brenda mandatit në të gjithë sistemin e arsimit të detyrueshëm të arsimit 9-vjeçar.

Ministrja Nikolla tha se “ne jo vetëm që mundësojmë një shërbim të ri përmes teksteve falas, por nga ana tjetër po përpiqemi të instalojmë edhe një proces të ri, që lidhet me edukimin, që lidhet me marrëdhënien që fëmijët kanë për librin. Është një proces që ndodh edhe në vendet e Bashkimit Europian”.

Lidhur me kushtet në shkolla, Nikolla u shpreh se “ne jemi bashkë për të vijuar detyrën dhe me gjithë vëmendjen maksimale në mënyrë që kjo javë të jetë jo vetëm javë e realizimit të detyrave të inspektoriatit, por të gjithë të jemi në kushtet optimale të zhvillimit të përgjegjësive, arsimi, shëndetësia dhe pushteti vendor”.

“Ky inspektim do t’i shërbejë një apeli për kolegët mësues, për drejtuesit e shkollave, për drejtuesit e institucioneve në mënyrë që këto ditë të jenë ditët e fundit për të përfunduar të gjitha detyrat, që shkollat të jenë gati dhe mikpritëse për nxënësit”, tha Nikolla. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat