Bushati: Çelësi i vetëm për rrugëtimin euro-atlantik të Maqedonisë, vota pro Marrëveshjes së Prespës

Shqipëria

Bushati: Çelësi i vetëm për rrugëtimin euro-atlantik të Maqedonisë, vota pro Marrëveshjes së Prespës

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 19:26
Ditmir Bushati dhe Zoran Zaev

Zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe rajon si dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballet Ballkani Perëndimor, kanë qenë në fokus të diskutimeve mes Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, gjatë vizitës zyrtare të kryediplomatit shqiptar në shtetin fqinj. 

Ministri Bushati vlerësoi lidershipin politik të Kryeministrit Zaev, i cili ka ndërmarrë një qasje të re ndaj fqinjëve për të drejtuar vendin drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO. 

Sipas Ministrit Bushati, çelësi i vetëm për hapjen e kësaj rruge është vota PRO Marrëvëshjes së Prespës në Referendumin e datës 30 shtator.

Në këtë kuadër, kreu i diplomacisë shqiptare inkurajoi të gjithë qytetarët e Maqedonisë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të jetësuar në perspektivën e tyre euro-atlantike. 

Bushati: “Është detyrë historike e çdo qytetari shqiptar në Maqedoni dhe në diasporë të votojnë masivisht dhe t’i thonë PO Marrëveshjes në Referendum. Po ashtu, është mision jetik i të gjithë spektrit politik shqiptar të shfaqë unitet për të mobilizuar votën masive shqiptare më datë 30 shtator”. 

Të dy zyrtarët u ndalën dhe tek nevoja e hyrjes sa më shpejt në fuqi e Ligjit të Gjuhëve.

Mbi këtë çështje, palët ndanë bindjen se zbatimi i duhur i tij dhe krijimi i shpejtë i mekanizmave të monitorimit siguron një qasje më të mirë dhe më të drejtë ndaj shërbimeve për shqiptarët dhe përfshirjen e tyre në qeverisjen e mirë, politikat e zhvillimit dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt Europës. 

Qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase kanë zhvilluar të parën mbledhje të përbashkët në Pogradec.

Me këtë rast, Kryeministri Zaev siguroi se pala maqedonase po punon për përgatitjet e mbledhjes së dytë që do zhvillohet në Maqedoni.

Vizita e Ministrit Bushati vijon me takime me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të spektrit politik shqiptar dhe vjen në një moment të rëndësishëm për ecurinë euro-atlantike të fqinjit tonë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat