“Air Albania” është mashtrim? Kreu i Autoritetit Civil i përgjigjet PD-së: Ja e vërteta

Shqipëria

“Air Albania” është mashtrim? Kreu i Autoritetit Civil i përgjigjet PD-së: Ja e vërteta

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 22:27
“Air Albania”

“Air Albania” nisi dje fluturimin e parë drejt Stambollit në orën 8:50 nga aeroporti i Rinasit. Pasagjerët e parë të linjës shqiptare ishin studentët e ekselencës. I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Rama tha se studentët e ekselencës do të jenë këmba e mbarë për kompaninë e fluturimit. “Më vjen shumë mirë që këtë fluturim të parë të muajit të testit të ‘Air Albania’ e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës. Është një fluturim simbolik, ndërkohë që gjatë gjithë muajit do të jenë disa të tillë”, u shpreh Kryeministri.

Por PD nuk mendon se është nisur “Air Albania” por një fluturim shtesë i “Turkish Airlines”. Demokratët akuzuan Kryeministrin Rama se po “mashtron shqiptarët, keqpërdor studentët dhe jep shfaqje me një kompani që nuk është e licencuar për fluturim me kodin shqiptar”. Deputeti demokrat Endri Hasa, përmes një postimi në “Facebook” shkruan: “Sot nga Rinasi në orën 8:30 nuk u nis asnjë avion i ‘Air Albania’, siç gënjeu Edi Rama. Për shfaqjen qesharake të Kryeministrit në hall u përdor kompania ‘Turkish Airlines’ TK6888.

Të dhënat online nga aeroporti i Rinasit tregojnë se ky është një fluturim shtesë i ‘Turkish Airlines’, sepse ‘Air Albania’ nuk ekziston perveçse në reklamën luksoze të Edi Ramës”. Por drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, sqaroi dje po në “Facebook” mënyrën se si do të funksionojë kompania e parë ajrore shqiptare. “Atëherë, disa detaje që kam kënaqësi të flas, një shpjegim teknik për kompaninë e re kombëtare shqiptare.

Image
Krislen Keri

‘Air Albania’ do të jetë kompania e Shqiptarëve për shqiptarët dhe këto janë arsyet pse. Së pari, 49% e ‘Air Albania’ zotërohet nga gjigandi ‘Turkish Airline’, një nga kompanitë më të mira në botë me mbi 300 avionë dhe mbi 300 destinacione, në 120 vende të botës. E thënë thjesht, ‘Air Albania’ do të përfitojë nga kompania mirëmbajtjes së avionëve ‘Turkish Teknik’, lider në fushën e vet me qendër në Stamboll. Gjithashtu, Air Albania do të ketë akses në Akademinë e Aviacionit ‘Turkish Airlines’, pra, pilotët dhe stafi shqiptar i kabinës do të trajnohen këtu. Për më tepër, ‘Air Albania’ do ketë mundësi aksesi në marrëveshjet e TK me aeroportet ku fluturon, pra, paketat tregtare të favorshme”, shkruan Keri.

Sipas tij, prezenca e shtetit shqiptar në këtë kompani, do të garantojë çmime më të mira për udhëtarët. “Së dyti, të qenit 10% me kapital shtetëror do të garantojë që modeli i ‘Air Albania’ të jetë i orientuar drejt atyre që u dhemb më shumë shqiptarëve, çmime më të lira dhe destinacionet ku ka më tepër interes nga shqiptarët, përfshi këtu edhe fluturimet trans-oqeanike që nga pikëpamja tregtare bëjnë sens sezonal, por potencialisht edhe përgjatë gjithë vitit.

Kompani e ngjashme e suksesshme është ‘Sun Express’ (kapital ‘Turkish Airlines’ dhe ‘Lufthansa’). Filloi sot një epokë e re në aviacionin civil shqiptar. Suksese kompanisë!”, sqaron Krislen Keri, drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat