Pse u revoltua Basha me Fatmir Metën, lidhja me Haklajt dhe vrasja e Azem Hajdarit

Shqipëria

Pse u revoltua Basha me Fatmir Metën, lidhja me Haklajt dhe vrasja e Azem Hajdarit

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 21:24
Azem Hajdari

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një konferencë urgjente për shtyp, duke akuzuar fort kryeministrin Edi Rama pas situatës së krijuar në Jalë.

Në qendër të akuzave ndaj tij ishte Fatmir Meta, kryeinspektor i IKMT-së. Basha tha se Meta është bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

“Kryeinspektori Fatmir Meta, Fatmiri i Nasibesë siç njihet ndryshe, kërcënoi deputetin e Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ndërsa ai bënte detyrën në krah të njerëzve, duke i kërkuar llogari kryeinspektorit dhe banditëve të tij për veprimet e tij antiligjore. Për ata që nuk e njohin, sepse janë tepër të rinj ose dhe e kanë harruar historinë e 20 vjetëve më parë, Fatmiri Nasibesë, Fatmir Meta, është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët. Me makinën e shefit të komisariatit të Tropojës, pra të Fatmir Metës, udhëtoi me 12 Shtator 1998 për në Tiranë, banda që ekzekutoi heroin e demokracisë, Azem Hajdari. Po atë natë, me makinën e shefit të tyre Fatmir Meta, banda e veshur me uniformën e policisë u kthye në Tropojë e pandaluar nga askush. Nën përgjegjësinë e plotë të Fatmir Metës, komisariati i Tropojës veshi nën uniformë bandat dhe banditët që terrorizuan të gjithë veriun e Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe në territorin ku drejtonte rendin dhe sigurinë publike së bashku me bandat, u vodh 3 herë Banka e Kursimeve të Tropojës dhe u vranë 86 qytetarë, një prej të cilëve oficer i Policisë së Shtetit, brenda ambjenteve të komisariatit”.

Por përse kjo akuzë kaq e fortë?

Emri i Fatmir Metës është lakuar vazhdimisht për vrasjen e Azem Hajdarit. Basha tha se ai i ka dhënë makinën e tij personave që e përdorën për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit.

“Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Fatmir Metës tip “Fuoristradë” me llampën, sinjalin e policisë. Me këtë makinë Jaho Mulosmani ka qarkulluar në Tiranë dy ditë para ngjarjes dhe atë ditë që u krye vrasja. Pas ngjarjes, Fatmiri nuk shkoi më në Tropojë dhe aktualisht është në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik,” thuhej në një dokument të publikuar para pak muajsh nga mediat, përgatitur nga SHISH.

Vetë Meta thotë se ai jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar, por ka mbetur viktimë e kësaj historie.

“Gjatë kohës që Haklaj dergjej në spitalin e burgut në kryeqytet, ndodhi një tjetër atentat, ku për fat të mirë ish-shefi i komisariatit të Tropojës në momentin që u vra Azem Hajdari, Fatmir Meta, mbeti i plagosur. Policia e Tiranës e drejtoi gishtin te Jaho Mulosmani. Motivi ishte fakti që Fatmir Meta raportoi te Ministri i Brendshëm Perikli Teta, se më 12 shtator Jaho ishte në Tiranë dhe kishte shumë mundësi që pikërisht ai ta kishte vrarë deputetin Hajdari. Ish-komisari Meta e deklaroi dhe në procesin “Hajdari”, se mbante në trup plumbat e vrasësve të deputetit demokrat,” shkruante gazetari Artan Hoxha para pesë vitesh.

Meta u shpall i pafajshëm për çështjen ‘Hajdari’ dhe u lirua në sallën e gjyqit. Dhjetë vjet më parë u ‘zbardh’ edhe historia e makinës së policisë.

“Ferdinand Lamaj është prangosur pasi është dënuar nga gjykata italiane për pjesëmarrje në organizatat e armatosura. Në Shqipëri ai është bërë i njohur si njeriu që i dha Jaho Salihit makinën me targa Vlore që kreu “vrasjen e shekullit”. Por pasi dëshmoi në gjyq për atë që kishte ndodhur paraditen e 12 shtatorit të vitit 1998, Lamaj u la i lirë nga drejtësia. Ai zbardhi misterin që në një farë mënyre shfajësoi ish- shefin e policisë Fatmir Meta dhe shumë zyrtarë të lartë: Makina me targa “VL 06 46 B” ishte e tija dhe jo e policisë,” raportohej para 10 vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat