Transferimi i prokurorëve dhe sherri tek Krimet e Rënda, kush janë dosjet “VIP” që lihen pas

Shqipëria

Transferimi i prokurorëve dhe sherri tek Krimet e Rënda, kush janë dosjet “VIP” që lihen pas

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 18:48
Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, firmosi dje transferimet e tre prej prokurorëve që refuzuan të marrin pjesë në hedhjen e shortit të dosjes “Shullazi”, e cila ka mbetur në fazën e konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë

Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, firmosi dje transferimet e tre prej prokurorëve që refuzuan të marrin pjesë në hedhjen e shortit të dosjes “Shullazi”, e cila ka mbetur në fazën e konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë.

Tre prokurorët që e pësuan nga “rebelizmi” janë Olsian Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj.

Prokurori që ka lëvizur më shumë këto muaj ka qenë prokurori i Besim Hajdarmataj, i cili ka në dorë çështjen “Tahiri” dhe madje është edhe prokuror i çështjes “Shullazi”, pasi ka kryer më shumë se tre muaj veprime hetimore në vitin 2016. Natyrisht që lëvizja e tij në Prokurorinë e Pogradecit e lë dosjen “Tahiri” pa prokurorin kryesor që ka drejtuar hetimet.

I pari prokuror që u largua nga ajo dosje ka qenë Elisabeta Imeraj, e cila u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, pas shkarkimit të ish-kreut të saj, Dritan Rreshka, prej Komisionit të Pavarur të Vetingut.

Nga ana tjetër, Gentian Osmani është një tjetër prokuror i çështjes “Tahiri”, i cili kaloi në filtrat e vetingut me sukses, por gjithsesi, vendimi për të pritet të apelohet nga Komisioneri Publik me rekomandim të ONM-së. Pas tyre mbeten edhe Dritan Prençi dhe Vladimir Mara që kanë kryer veprime hetimore për dosjen, kryesisht atë të Orest Sotës që i është bashkangjitur Tahirit.

Por rolin kryesor e ka pasur treshja “HajdarmatajOsmani-Imeraj”, e cila ishte prezente edhe kur iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë për të marrë autorizim për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Në një kohë që i afrohemi skadimit të afatit prej tre muajsh të hetimit mbi Tahirin, dosja hetimore ndaj tij mbetet pa dy prej prokurorëve kryesorë. Po kështu, Besim Hajdarmataj është prokuror edhe në dosjen “Shullazi”.

“Panorama” mëson se ai ka kryer veprime hetimore për dosjen në fjalë në fazën fillestare të saj dhe kjo e bën prokuror të çështjes. Mirëpo, paraqitja e tij në gjyq seancën e fundit ka ngjallur debate të ashpra te mbrojtja.

Avokatët e Shullazit pretendojnë se Besim Hajdarmataj ka manipuluar provat dhe ka shantazhuar Ylvi Beqjan kur ishte drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj ai duhet të japë dorëheqjen nga çështja. Për këtë rast kanë dëshmuar më parë edhe dy ishavokatët e Shullazit, që kanë mbrojtur interesat e tij kur u arrestua. Nexhdat Kambo dhe Alban Qafa kanë thënë në gjyq se Beqja u ka treguar se është shantazhuar nga Hajdarmataj që të dëshmojë kundër Shullazit.

Megjithatë, këto akuza nuk e stepën prokurorin Hajdarmataj në seancën e fundit. Ai i kërkoi Gjykatës shtyrjen e seancës në mënyrë që të fitojë pak kohë për t’u njohur me dosjen. Tashmë që Hajdarmataj transferohet në Pogradec, do t’i duhet që të heqë dorë nga dy prej çështjeve më të nxehta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat