Paralajmërimi i Ngjelës: Tahiri më i lehti nga rastet që vijnë

Shqipëria

Paralajmërimi i Ngjelës: Tahiri më i lehti nga rastet që vijnë

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 18:47
Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela ka bërë një paralajmërim të fortë, sa i takon rasteve të korrupsionit të politikanëve shqiptarë, që mund të dalin në të ardhmen. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Ngjela tha se “në vargun e madh të korrupsionit, Tahiri do të jetë më i lehti ndaj atyre që do vijnë. Keni për t’i parë. Ka shumë nga të dy anët”.

Prej 10 muajsh kemi një prokurore të Përgjithshme dhe të Përkohshme, si i shihni veprimet e saj? A ka ngërç në prokurori?

Nuk ka ngërç në prokurori, kjo po del një grua shumë e fortë. Unë nuk e kam njohur. Por në momentet kur gjithë korrupsioni iu hodh kundër, kjo më dha mendimin që u jep frikë. Ai ishte fillimi, tani ajo ka filluar goditjen. Por tashmë ka ndryshuar Kushtetua, dhe ajo nuk ka kompetencat e llallës. Po të kishte kompetenca do të ishte ndryshe. Ajo po punon mirë, dhe brenda momentin të saj të dobët që ka.

A po i rrëshqasin prokurorisë çështjet e nxehta, dosja “Shullazi”, dosja “Tahiri”. A janë të mira lëvizjet e prokurorëve?

Duhet të kemi parasysh se duhet t’i qëndrojmë ligjit. Duhet të kujtohemi që sipas Ligjit Organik, Prokuroria e krimeve të renda kthehet në Prokuroi Speciale, dhe do të hetojë korrupsionin e nivelit të lartë. Dhe ajo ose do t’i heqë me vetting ata që nuk meritojnë, ose do bëjnë kështu siç iu gjeti rasti kjo, për t’i transferuar.

A ka një minim të rastit “Tahiri”?

Nuk ka. Do të kishim një minim, nëse do të ishim në rast të parashkrimit. Përsa i përket çështjes “Tahiri”, do të them se është në proces gjyqësor, nuk ka sabotim. Dosja duhet të shkojë në gjyq. Në vargun e madh të korrupsioni, Tahiri do të jetë më i lehti ndaj atyre që do vijnë. Keni për t’i parë. Ka shumë nga të dy anët. Ndërkombëtarët nuk punojnë dot me këta të korruptuar. Këta jo vetëm që janë të korruptuar, por i kanë dalë ndesh politikën amerikano-gjermane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat