"Çdo ditë rreth 100 persona të sëmurë vijnë në QSUT"

Shqipëria

"Çdo ditë rreth 100 persona të sëmurë vijnë në QSUT"

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 16:33
Ilustrim

Rreth 100 persona të prekur nga virozat paraqiten çdo ditë pranë spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Me ardhjen e stinës së vjeshtës e ndryshimin e klimës, pacientët paraqesin probleme të traktit respirator e drejtohen për ndihmë pranë mjekut të lagjes apo në QSUT. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku infeksionit Gentian Stroni tregon se deri më tani situata është e qëndrueshme, por thekson se fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virozat. Sipas mjekut, gripi është një nga format më të rënda të virozave të stinës. Statistikat tregojnë se në Europë ka pasur rreth 170 mijë vdekje çdo vit nga gripi, 22 milionë raste të rënda dhe rreth 3.5 milionë hospitalizime. Infeksionisti Stroni i bën thirrje popullatës që të vaksinohet sa më shpejt për të parandaluar prekjen nga viruset e gripit. Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm, prandaj vaksinimi rekomandohet çdo vit. Nevojiten rreth 2 javë pas marrjes së vaksinës derisa të zhvillohet mbrojtja, e cila zgjat rreth 1 vit.

Me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe përhapjen e virozave, si paraqitet situata në spitalin e Infektivit në QSUT?

Nëse do diskutojmë për këtë stinë, kemi relativisht një rënie të sëmundshmërisë, në krahasim me periudhën e beharit. Në këtë të fundit, veçanërisht në gusht kemi pasur një ritëm shumë të lartë të infeksioneve të traktit gastro-intensinal. Praktikisht mund të themi që kemi një situatë deri diku stabël me disa shifra jo të larta, në krahasim me periudhën e gushtit (shkonte deri në 150 raste në ditë vetëm në spitalin e Infektivit në QSUT). Tani me ardhjen e vjeshtës, kemi rreth 90-100 raste në ditë, raste të cilat nuk janë të gjitha problematike të virozave apo sëmundshmërisë së stinës. Në pavion vijnë edhe pacientë për konsulta, raste që kanë dëmtime të ndryshme si kafshime nga qeni apo çarje me gozhdë (që kërkojnë bërjen e tetanozit).

Cilat janë virozat më të shpeshta të kësaj stine?

Në këtë moment, me ndryshimin e klimës e ftohjen e kohës, kemi një lëvizje të virozave nga trakti gastro-intensinal në verë, drejt traktit respirator në vjeshtë. Pra, shikojmë më së shumti probleme që dalin në pjesën e sipërme të traktit respirator ku më së shumti janë tonsilitet. Kjo bën që pacientët të vijnë dhe të kërkojnë ndihmë te mjekët e lagjes apo në QSUT. Më së shumti shfaqin shqetësime me temperaturën e lartë, dhimbjet e fytit, apo dobësi të ndryshme trupore. Pra, kemi një përzierje të situatës gastro-intensinale me atë respiratore. Më së shumti janë infeksione që lidhen me traktin e sipërm respirator.

Cilat janë grupmoshat më të predispozuara për t’u prekur nga virozat?

Infeksionet shfaqen atëherë kur imuniteti i trupit bie, që do të thotë se kur një organizëm nuk arrin dot t’i bëjë ballë një infeksioni, ky i fundit do të fillojë të zhvillohet. Kjo na bën të mendojmë se kemi një numër të shtuar virozash te moshat e treta, por edhe te fëmijët. Megjithatë, kjo nuk përjashton pjesën e adultëve. Kur diskutojmë për situata problematike të viruseve deri diku të veçanta mund të prekin këdo nga të rriturit. Më të riskuar janë ata që kanë një sëmundje primare, që kanë një problematikë paraprake dhe ata që kanë imunitet të rënë.

Çfarë masash parandaluese duhet të marrë popullata për të mos u prekur nga viruset?

Jemi në kohën më të mirë për të marrë masat parandaluese, kështu që në vjeshtë duhet të marrim masat për stinën e dimrit. Në këtë të fundit, më problematike janë infeksionet e traktit respirator, ku më problematiku ngelet gripi. Në të gjithë botën, në muajin shtator dhe tetor duhet të kryhet vaksinimi, pra është koha kur ne duhet të përgatisim trupin tonë për të bërë të mundur ruajtjen dhe mbrojtjen nga ky lloj virusi. Dhe që të bëhet kjo, duhet të përdoret vaksinimi.

Cilat janë llojet e vaksinave kundër gripit që mund të përdorim për parandalim?

Fatmirësisht tashmë janë në dispozicion vaksina të ndryshme për gripin dhe veçanërisht kur flasim për vaksinat katër valente. Kjo do të thotë se nëse deri vitin e kaluar kemi pasur vaksina të cilat mbronin nga gripi H1N1, H3N2 dhe një grip i tipit B; këtë vit është rritur mundësia për të marrë vaksinën katër valente që kemi dy të gripit A dhe dy të gripit B. Në këtë lloj mënyre, ne bëjmë një mbrojtje akoma më efektive nga gripi që do të vijë. Vaksina e gripit mund të gjendet në farmaci.

Cilat janë pasojat që mund të shkaktojë gripi?

Problematikat nga gripi mund të jenë shumë të mëdha. Sipas statistikave, ka rreth 170 mijë vdekje nga gripi vetëm në Europë, 22 milionë raste të rënda dhe rreth 3.5 milionë hospitalizime. Gripi nuk të fal kur flasim për persona që kanë një imunitet të rënë dhe kjo është arsyeja kryesore që duhet t’i japim rëndësinë e duhur vaksinimit. Është koha e duhur për nisjen e fushatës së ndërgjegjësimit për të bërë të mundur parandalimin e këtyre pasojave që mund të jenë edhe fatale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat