Prokuroria përgjoi Fredi Alizotin, Italia nuk pranoi audiopërgjimin

Shqipëria

Prokuroria përgjoi Fredi Alizotin, Italia nuk pranoi audiopërgjimin

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 09:11
Fredi Alizoti

Prokuroria e Krimeve të Rënda i është përgjigjur akuzave të opozitës mbi hetimin e çështjes së ashtuquajtur "Babale".

Në deklaratën për mediat sqarohet se në datën 1 qershor të këtij viti Fredi Alizoti ka kërkuar të japë dëshminë e tij në lidhje me audiopërgjimin.

Në deklarimin në komisariatin e Fierit ai është shprehur se rreth muajve tetor- nëntor të vitit 2017, Veliu i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, por nuk i gjente dot anën.

Për këtë Alizoti duhej të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Sipas prokurorisë, Alizoti pretendon se “Babalja”, i kishte deklaruar se do të merrnin 200.000 euro nga deputeti Salianji, të cilat do të ndaheshin në mënyrë të barabartë.

Ndërkaq prej datës 22 maj, Alizoti ishtë vënë në përgjim pas bisedave që ai kishte realizuar me Babalen, mbi të njëjtën çështje. 

Në vijim të hetimeve Alizotit, si dhe shtetasve shtetasve Geron Xhafaj, Albert Veliu dhe Agron Hyseni i janë marrë dhe modele zëri të cilat janë analizuar në laboratorin teknik të kompanisë JP French Associates.

Kjo pas komunikimit me Ambasadën Britanike. Duke iu përgjigjur opozitës, prokuroria shton se nuk ka asnjë ekspertim nga laboratorë shkencorë te Policisë në Itali, për shkaqe procedurale.

Ndërsa saktësohet se gazetari Jetmir Olldashi nuk ka dorëzuar në asnjë moment materialin origjinal, pasi është thënë se nuk e disponon më dhe kopje të tij ia ka dorëzuar shtetasit Ervin Salianji.

Alizoti u vu nën përgjim

Krimet e Rënda thonë se shtetasi Fredi Alizotaj ka qenë në përgjim për nevoja të hetimeve, me Vendimin e Prokurorit të datës 22.05.2018, të vleftësuar me vendimin e Gjykates Nr. 457 datë 24.05.2018, pra disa ditë para se të komunikonte me sallën operative të policisë Fier dhe të pyetej nga prokuroria.

"Kjo për shkak se gjatë përgjimit të bisedave telefonike të shtetasit Albert Veliu ka rezultuar si personi që ka komunikuar me të disa herë i shqetësuar dukë bërë biseda, për të cilat ka patur të dhëna gjatë përgjimit për përfshirjen e tij bashkë me shtetasin Albert Veliu në realizimin e audio përgjimit".

Çfarë deklaroi Fredi Alizoti

Organi i akuzës thotë se Fredi Alizoti i pyetur në datë 01.06.2018, ka deklaruar që rreth orës 16:00, të datës 01.06.2018, kishte kërkuar të komunikonte me Drejtorin e Policisë Fier, pasi donte të deklaronte disa fakte.

Më pas ka kontaktuar me Drejtorin, i cili e ka orientuar që të jeptë deklarime në Prokurorinë për Krime të Rënda.

"Ky shtetas ka deklaruar që shtetasin Albert Veliu (Babalja) e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve Tetor - Nëntor të vitit 2017, ai i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte. I kishte ofruar që të bënin një regjistrim dhe shtetasi Fredi të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj.

Për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200.000 euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte shtetasi Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100.000 euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte zëri i tij. Babalja deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lek".

Në këtë moment, thotë Prokuroria, është ndërprerë pyetja e këtij shtetasi pasi po jepte të dhëna për inkriminim në ngarkim të tij dhe është paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvilloheshin hetime ndaj tij dhe është ftuar të caktojë një mbrojtës.

"Deklaruesi ka kërkuar të japë shpjegime pa praninë e mbrojtësit duke theksuar se u qëndronte deklarimeve, por më të detajuara do t’i jepte një ditë tjetër.I janë marrë dhe modele zëri këtij shtetasi në prani të ekspertit kriminalist. Është kqyrur dhe libri i njoftimeve të Sallës Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku provohet komunikimi që ka patur ky shtetas me specialistin e Sallës Operative".

Ekspertimi i zërit në kompani private angleze

Si hap i dytë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është vendosur kryerja e ekspertimit teknik, duke caktuar si ekspert, ekspertët britanikë të kompanisë JP French Associates.

"Fillimisht jemi drejtuar Ambasadës Britanike, oficerëve të kontaktit të NCA pranë kësaj ambasade për asistencë në kryerjen e një ekspertimi zëri. Nga informacioni zyrtar që na është vënë në dispozicion rezulton se në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka institucion shtetëror për kryerjen e një ekspertimi të tillë, dhe se kompania e sipërcituar është kompania e kontraktuar nga vetë autoritetet shtetërore britanike për kryerjen e ekspertimeve në vend. Për këtë arsye nga ana jonë është dërguar materiali për ekspertim pranë kësaj kompanie".

Nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se  nuk është administruar asnjë akt ekspertimi i kryer nga laboratorë shkencorë te Policisë në Itali, për shkak se autoritetet italiane kanë refuzuar ekspertimin për shkaqe procedurale që lidhen me aplikimin e Konventës për Ndihmë të Ndërsjelltë në Fushën Juridike Penale, dhe se kryerja e këtij veprimi nuk lidhej me territorin e shtetit italian.

Në Britani u dërgua DVD-ja e PD-së

Lidhur me materialin e dërguar për ekspertim, Prokuroria e Krimeve të Rënda sqaron se objekt ekspertimi është DVD-ja e sekuestruar në Partinë Demokratike nga deputeti Enkelejd Alibeaj si përfaqësues i kësaj force politike.

Si modele eksperimentale janë dërguar mostra të zërave të shtetasve Geron Xhafaj, Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Agron Hyseni të marrë konform rregullave procedurale.

Gazetari nuk dorëzoi materialin origjinal

Organi i akuzës, thekson  se shtetasi Jetmir Olldashi nuk ka dorëzuar në asnjë moment materialin origjinal si dhe mjetet, me të cilat është pretenduar se është realizuar audiopërgjimi që lidhet me bisedën e pretenduar të zhvilluar midis shtetasve Albert Veliu dhe Geron Xhafaj duke pretenduar se nuk e disponon më dhe kopje të tij ia ka dorëzuar shtetasit Ervin Salianji.

Provat e sipërcituara janë paraqitur përpara Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e cila me Vendimin nr 142 datë 06.10.2018 ka caktuar masat e sigurimit “arrest me burg” për shtetasit Albert Veliu dhe Fredi Alizoti dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Jetmir Olldashi.

Më datë 12.10.2018 i është bërë ftesë për paraqitje shtetasit Ervin Salianji për t’u pyetur si person, ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” në bashkëpunim me personat e sipërcituar.

"Ky është qëndrimi zyrtar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda referuar të dhënave që kanë rezultuar nga hetimet deri në këto momente".

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, është duke zhvilluar hetime në kuadër tëprocedimit penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Më datë 05.10.2018, lidhur me autenticitetin e regjistrimit të bisedës së pretenduar të jetë kryer midis shtetasve Albert Veliu dhe Geron Xhafaj u është regjistruar emri si persona nën hetim shtetasve Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji për veprën penale të “Kallzimit të rremë” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 305 e 25 i K.Penal, ndërsa për shtetasin Albert Veliu dhe për veprën penale të “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit” të parashikuar nga neni 297 i Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat