Rexhep Rraja kërkon lirinë në Apel

Shqipëria

Rexhep Rraja kërkon lirinë në Apel

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 16:55
Xhisiela Maloku dhe Rexhep Rraja

Rexhep Rraja që mbahet në burg që prej 2 Tetorit me akuzën e përndjekjes ndaj ish-të dashurës së tij Xhisiela Maloku kërkon lirinë.

Përmes avokatit të tij mbrojtës, Ilir Muratit, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja do të dalë përballë gjykatës së Apelit në Tiranë, ku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë.

Pala mbrojtëse pritet të paraqesë përballë gjykatës deklaratat publike, që ka bërë deri tani 25-vjeçarja Maloku. Kjo e fundit është shprehur disa herë se ish-i dashuri nuk e ka dhunuar, por denoncimi në polici ka ardhur për shkak të xhelozisë.

Një tjetër argument i palës mbrojtëse është edhe një përgjim ambiental i kryer ditën kur ish-të dashurit u ballafaquan në Prokurorinë e Krujës një ditë para arrestimit. Gjatë debatit mes Rrexhep Rrajës dhe Xhisiela Malokut nuk u pati tone të ashpra apo përndjekje, por debat xhelozie, teksa në një moment Xhisiela e fton për drekë 24-vjeçarin. Normalizimi i marrëdhënieve mes çiftit do të jetë edhe armë kryesore që pala mbrojtëse do të paraqesë përballë togave të zeza.

Rexhep Rraja u arrestua më 30 Shtator, me akuzën e përndjekjes së ish-të dashurës së tij Xhisiela Maloku. Kjo e fundit deklaroi në komisariat se ishte rrahur, djegur me cigare dhe kërcënuar me armë nga Rexhep Rraja, por pas publikimit të historisë në media, Xhisiela është tërhequr nga denoncimi duke thënë se gjithçka ishte sajesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat