Bundestagu konsultohet për ligjin e ri për refugjatët

Religjion

Bundestagu konsultohet për ligjin e ri për refugjatët

Më: 13 janar 2016 Në ora: 11:45

Çfarë ligjesh mund të diktojnë lëvizjet e refugjatëve? Në Berlin po debatohet shumë, disa gjëra edhe janë planifikuar. Bundestagu këtë javë konsultohet për një ligj të ri për një regjistrim më të mirë të azilkërkuesve.

Ka shumë kantjere ndërtimi në politikën gjermane për azilin. Ndërkohë qeveria Merkel po përpiqet, që me ligje të reja të sjellë më shumë rregull dhe sistem në situatën e krijuar, që disa e quajnë "kaosi i refugjatëve". Në vitin 2015 në bazë të statistikave të Ministrisë së Brendëshme në mbarë federatën u numëruan 1,1 milionë refugjatë, por vetëm një gjysmë milioni syresh ka paraqitur kërkesë për azil.

Të tjerë njerëz duhet të kenë ardhur në vend pa u regjistruar. Ndërkohë që është i mundshëm regjistrimi në pesë autoritete të ndryshme. Por të dhënat e tyre nuk janë kompatibël: Ato përdorin pjesërisht software të ndryshëm dhe nuk janë të lidhur në rrjet me njëri-tjetrin. Kështu krahas të paregjistruarve ka edhe njerëz, të cilët njëkohësisht janë regjistruar në disa autoritete.

Një ligj i ri synon përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave. Qëllimi është, që për çdo person të ketë një depozitë qendrore të dhënash në një regjistër qendror për regjistrimin e të huajve. Në të në të ardhmen duhet të kenë akses të gjitha autoritetet. Krahas të dhënave personale do të reigjstrohen edhe të dhëna të tjera: gjurmët e gishtërinjve, numrat e telefonëve celularë, informacione për vaksinimin, të radiografive dhe të dhëna të tjera për shëndetin si dhe për shkollimin dhe kualifikimin profesional.

"Digjitalizimi" i të dhënave personale

Nga regjistrimi i gjurmëve të gishtrinjve autoritetet shpresojnë një identifikim të qartë të personave. Të gjitha pikat përkatëse do të pajisen me një sistem për krahasimin e shpejtë të gjurmëve të gjishtërinjve i ashtuquajtur "Fast-ID". Ky mund ta lehtësojë edhe krahasimin e shpejtë me të dhënat e Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA). Mbrojtja Kushtetuese nuk duhet të ketë akses tek këto të dhëna.

Në fakt qysh tani autoritetet p.sh. në Bavari, ku hyn shumica e refugjatëve, i regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve. Kjo ështe e parashikuar kështu në nivel europian, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet krahasimi i të dhënave për respektimin e Marrëveshjes së Dublinit, nëse dikush ka udhëtuar përmes "një vendi të tretë të sigurtë" dhe duhet të kthehet sërish atje. Por deri tani gjurmët e gishtërinjve nuk janë të lexueshme gjithmonë në mbarë federatën.

A do të vendoset për vendbanimin e detyrueshëm?

Bashkë me ekspertët komisioni i punëve të brendëshme i Bundestagut është konsultuar për ligjin. Një përfaqësues i Entit Federal për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) e përshëndeti ligjin, sepse ai ndjek tre qellime: identifikimin e qartë, shmangien e informacioneve të dyfishta dhe një koordinimin më të mirë.

Koordinimin ligji i ri synon ta përmirësojë edhe duke e regjistruar në depozitën e të dhënave vendin e pranimit, pra vendbanimin, që do t'i caktohet azilkërkuesit.

Refugjatët në mbarë Gjermaninë do të shpërndahen sipas një të ashtuquajturi çelësi Königsteiner. Por jo të gjithë i përmbahen këtij rregulli, duke u shpërngulur nga fshatrat, ku janë caktuar nëpër qytete të mëdha dhe në zonat e populluara urbane.

Në të ardhmen një gjë e tillë do të ndalohet, duke nisur qysh nga shkurti, do të lëshohen të ashtuquajtura karta për identifikimin e vendbanimit, pra një lloj karte identiteti e refugjattit me vendbanim të përcaktuar. Kjo lëshohet vetëm në vendin, ku dërgohet fillimisht refugjati. Në një hap të dytë kjo kartë do të jetë e lidhur edhe me pagesën e ndihmës sociale.

Lidhur me këtë ka pasur edhe kritika: sipas të cilave refugjatët nuk duhet të mbahen në zona me rritje të dobët strukturore, ku nuk ka vende pune. Sepse kjo vështirëson integerimin në tregun e punës dhe në shoqëri, kritikon "vendin e kushtëzuar të banimit" organizata e ndihmës "Pro Asyl".

Çfarë pasojash ka karta e re e identit për refugjatët?

Ligji synon edhe lehtësimin e BAMF, që e ka nisur vitin e ri me një shifër prej 660.000 kërkesash të prapambetura pa u përpunuar për azil. 900 punonjës janë të ngarkuar me regjistrimin, shpresohet një lehtësim, tha zëdhënësi i BAMF.

Se çfarë pasojash kanë kërkesat e papërpunuara, e shpjegon drejtuesi i zyrës më të madhe për të huajt në Gjermani, Engelhard Mazanke nga Berlini. Atje mesatarisht zgjat deri në pesë muaj, derisa dikush të mund të paraqesë një kërkesë për azil. Pikërisht për këtë periudhë ndërmjetëse synohet të lëshohet karta e identitetit të refugjatit.

Se çfarë statusi ligjor do të lidhet me këtë kartë identiteti, për këtë janë shprehur mendime të ndryshme gjatë konsultimit të ligjit. Gjyqtari administrativ Hans-Hermann Schild u shpreh për një "faktischen Duldung" (faktiksiht leja e përkohshme e qendrimit). Ole Schröder, sekretar shteti në Ministrinë e Brendëshme, e hodhi poshtë këtë kritikë. Schild parashikon një ortek procesesh, sepse me një leje të përkohshme qendrimi kushtëzohen edhe ndihmat sociale. Krahas kësaj ai tërhoqi vëmendjen, se sipas së drejtës europiane më së voni pas tetë ditësh duhet të mund të parashtrohet kërkesa për azil. Ende nuk ka ndonjë valë padishë, por disa avokatë lidhur me këtë mund të presin mandate të shumta.

Deri në fund të javës Bundestagu duhet të konsultohet në mënyrë përmbyllëse për ligjin. Nga shkurti është planifikuar zbatimi i tij në mbarë vendin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat