Dominuan skiatorët norvegjezë

Skijim

Dominuan skiatorët norvegjezë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 dhjetor 2016 Në ora: 15:02
Kjetil Jansrud gjatë garës së sotme

Skiatorët norvegjezë dominuan në Kupën e Botës në disiplinën e supersllallomit të madh, që u zhvillua në Qendrën e Skive në Val d`Isere të Francës. Norvegjezi Kjetil Jansrud bëri paraqitje të shkëlqyeshme, duke e zënë vendin e parë për 1:21.66 minuta dhe la pas vetes bashkëkombësin e tij, Aksel Lund Svindal. Jansrud rrëshqiti për mrekulli dhe ka pasur kohën më të mirë për 17 qindtat se Svindal. Jansrud është i ngazëllyer për fitoren në supersllallom të madh dhe me synime që të vazhdojë me këtë ritëm. Veçori ka qenë Svindal i cili u rikthye me sukses të madh pas lëndimit që kishte pësuar edicionin e kaluar. 

Svindal u tregua shumë i mirë dhe pati kohën më të mirë për 24 qindtat se italiani Dominik Paris. Ai është i lumtur që pas një kohe u rikthye në shtigjet e skive dhe është i befasuar me këtë rezultat, duke paralajmëruar se do të jetë në formë të lart dhe do të shënojë suksese të lakmueshme. Karakteristikë ka qenë diferenca shumë e ngushtë në të qindtat e sekondës në mes tre skiatorëve: Paris-Janka-Kline. Skiatori italian Paris kishte tre të qindtat të kohës më të shpejtë se vendi i katërt, zvicerani Carlo Janka dhe katër se slloveni Bostjan Kline. Janka më pak fat ka mundur të arrijë në podium, ndërsa befasoi për të mirë slloveni i cili bëri një rrëshqitje jashtëzakonisht të mirë. Beat Feuz nga Zvicra zuri vendin e gjashtë, por me kohë më të ngadalshme për 71 qindtat e sekondës se pozita e parë. Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, kampioni në fuqi, austriaku Marcel Hirscher udhëheq me 200 pikë, duke lënë pas francezin Pinturault me 124 pikë, Neureuther (Gjermania) 110, Jansrud (Norvegjia) 100, Svindal (Norvegjia) 80, Janka (Zvicra) 70 pikë etj.

Rezultatet

1. Kjetil Jansrud (Norvegjia)      1:21.66

2. Aksel Lund Svindal (Norvegjia)     0.17

3. Dominik Paris (Italia)     0.41

4. Carlo Janka (Zvicra)        0.44

5. Bostjan Kline (Sllovenia)       0.45

6. Beat Feuz (Zvicra)   0.71

7. Travis Ganong (SHBA)            0.75

8. Peter Fill (Italia)      0.76

9. Andreas Sander (Gjermania) 0.91

10. Max Franz (Austria)      1.13

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat