Skiatori Henrik Kristoffersen shënoi fitore të rëndësishme dhe në konak të kampionit në fuqi të botës, austriakut Marcel Hirscher. Norvegjezi Kristoffersen triumfoi në disiplinën e sllallomit me kohë të kaluar për 1:39.83 minuta ose ka pasur kohën më të shpejt për 9 qindtat se Hirscher, në garën që u mbajt në Qendrën e Skive në Schladming të Austrisë. Kampioni në fuqi i botës edhe pse ishte para shikuesve të vet nuk arriti të shënojë fitore, megjithatë arkëtoi 80 pikë të reja. Alexander Khoroshilov nga Rusia befasoi duke u ngjitur në vend të tretë me kohë më të dobët për 63 qindtat se vendi i parë. Duhet përmendur paraqitjen e zbehtë të francezit, Alexis Pinturault, i cili zuri vendin e tetë me kohë më të ngadalshme për 2 sekonda e tri të qindtat. Në renditjen e sllallomit, Hirscher kryeson me 620 pikë, pasojnë: Kristoffersen (560), Moelgg (380), Neureuther (280) etj. Faktikisht, Kristoffersen me këtë fitore ka rritur shumë gjasat në luftë për titullin e kampionit në sllallom. Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Hirscher udhëheq me 1.160 pikë, i përcjellë nga Kristoffersen (792), Pinturault (713), Jansrud (544) etj. Megjithatë, Hirscher ka një epërsi të mirë në renditjen e përgjithshme, por jo edhe një qetësi, pasi që ka edhe shumë gara deri në fund.
Rezultatet
1. Henrik Kristoffersen (Norvegjia) 1:39.83
2. Marcel Hirscher (Austria) 0.09
3. Alexander Khoroshilov (Rusia) 0.63
4. Julien Lizeroux (Franca) 1.53
5. Stefano Gross (Italia) 1.54
6. Manuel Feller (Austria) 1.86
7. Naoki Yuasa (Japonia) 1.98
8. Alexis Pinturault (Franca) 2.03
9. Mattias Hargin (Suedia) 2.06
10. David Ryding (Britania e Madhe) 2.25