Hirscher fantastik, fitoi medaljen e artë në sllallom

Skijim

Hirscher fantastik, fitoi medaljen e artë në sllallom

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 19 shkurt 2017 Në ora: 15:20
Marcel Hirscher

Skiatori më i mirë në botë në vitet e fundit, austriaku Marcel Hirscher, ka qenë fantastik në Kampionatin Botëror, që u mbajt në Qendrën e Skive në St. Moritz të Zvicrës. Kjo është medalja e dytë e artë brenda tri ditëve, pasi që me 17 shkurt ngadhënjeu në sllallomin e madh. Austriaku ka qenë perfekt në dy rrëshqitje dhe shënoi fitore bindëse me kohë të kaluar 1:34.75 minuta. 27-vjeçari  pati kohën më të mirë për 68 qindtat se bashkëkombësi i tij Manuel Feller.  Hirscher deri më tash ka fituar nëntë medalje ose gjashtë të arta në karrierën e tij në Kampionatin Botëror.  Austriaku që kryeson edhe renditjen e përgjithshme në Kupën e Botës,  medaljet e arta i ka fituar në sllallom dhe me kombëtare në vitin 2013 në Schladming, në superkombinim dhe me kombëtare në vitin 2015 në Beaver Creek, si dhe në sllallomin e madh këtë edicion në St. Moritz. 

Tri të argjendta: në sllallomin e madh në vitin 2013 në Schladming dhe në sllallomin e madh në vitin 2015 në Beaver Creek dhe në superkombinim në vitin 2017 në St. Moritz. 24-vjeçari Feller fitoi medaljen e parë në karrierën e tij. Ai u stolis me medalje të argjendtë, duke lënë pas vetes për 25 qindtat gjermanin Felix Neureuther. Për gjermanin është medalja e pestë në karrierën e tij. Ai në vitin 2005 fitoi të artën me ekipin gjerman, ndërsa tetë vjet më vonë i argjendtë në sllallomin  në Botërorin që u mbajt në Schladming, po këtë viti i bronztë me ekip.  Në vitin 2015 fitoi medaljen e bronztë në sllallom po ashtu i bronztë në vitin 2017 në St. Moritz. Norvegjezi Henrik Kristoffersen për 11 qindtat mbetet larg zonës së medaljes, që faktikisht ka qenë një ditë dëshpëruese për të.  Me një fjalë, përfundoi edicioni i sivjetshëm në Kampionatin Botëror, që dhuroi emocione të pakufishme për dy javë.

 

Rezultatet

1. Marcel Hirscher (Austria)  1:34.75

2. Manuel Feller (Austria)     0.68

3. Felix Neureuther (Gjermania)    0.93

4. Henrik Kristoffersen (Norvegjia)          1.04

5. Alexander Khoroshilov (Rusia)   1.05

6. André Myhrer (Suedia)     1.10

7. Marco Schwarz (Austria)  1.11

8. Michael Matt (Austria)     1.24

9. Stefano Gross (Italia)         1.40

10. Stefan Hadalin (Sllovenia)        1.41

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat