Pupovci: Shpresat i kemi në lëshim dhe superkombinim

Skijim

Pupovci: Shpresat i kemi në lëshim dhe superkombinim

Nga: Kemajl Goca Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 16:18
Albin Tahiri e Agim Pupovci

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në ski, Agim Pupovci, tha se atmosfera është e mirë në Pyeongchang të Koresë së Jugut. Pupovci ka deklaruar se skiatori Albin Tahiri është në formë të mirë dhe mezi e pret debutimin e tij me 11 shkurt, në disiplinën e lëshimit. Përzgjedhësi vlerësoi se Tahiri ka përparuar për disa sekonda dhe do të ketë rezultat më të mirë se sa kur kishte garuar në Kampionatin Botëror. Pupovci nga Pyeongchang ka folur për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke treguar për atmosferën që mbretëron dhe kushtet dhe a trajtohen njësoj si shtetet tjera.

“Bota sot”: Si është atmosfera në Pyeongchang?

Agim Pupovci: Kemi mbajtur stërvitjet në lëshim, është disiplina më e shpejt, kemi bërë grahjen e parë. Nesër dhe pasnesër kemi stërvitjen e radhës, kurse me 11 shkurt e kemi garën e parë në lëshim. Jemi përshtatur mirë me ambientin.

“Bota sot”: A është në formë skiatori Albin Tahiri?

Agim Pupovci: Forma e tij është e mirë. Është i përgatitur, konkurrenca është teje e madhe, por terreni i vështirë, ka shumë vende me kërcime dhe shteg i shpejt. Shpresojmë të bëjmë një garë të mirë, Albini nuk ka pasur diferencë të madhe me vendin e parë, 8 sekonda krahas me Kampionatin Botëror ku ishte 12 sekonda. Për momentin është përmirësuar 3 deri 4 sekonda, presim edhe dy sekonda, sepse Albini nuk e ka dhënë maksimumin në lëshimet e para, ka rezerva.

“Bota sot”: A prisni kohën më të mirë se në Kampionatin Botëror?  

Agim Pupovci: Albini do të jetë shumë më mirë me kohën, ka përmirësim të kohës. Shpresat i kemi në lëshim dhe superkombinim. Këtu janë shpresat më të mëdha për me pru rezultate sa më të mira.

“Bota sot”: Flitet se keni probleme me skia, cila është e vërteta, kanë humbur skitë?

Agim Pupovci: Nuk kanë humbë skijat, kjo është dezinformatë.  Skijat na ka arritur me kohë dhe Albini stërvitet me skia të veta.

“Bota sot”: A stërviteni me skiatorët e mirënjohur?

Agim Pupovci: Kemi ushtruar me ta, si me Marcel Hirscher, Ted Ligety, Henrik Kristoffersen,  Aksel Lund Svindal, po ashtu edhe Peter Fill ka qenë me ne. Gjithë skiatorët me të mirë ishin në përgatitje.

“Bota sot”: Si trajtoheni?

Agim Pupovci: Edhe vjet kemi qenë në nivelin më të lartë, edhe kjo është e veçantë dhe ndihem të barabartë me të gjitha shtetet, me flamuj e me të gjitha i kemi të shpërndarë përreth shtegut. Është hera e parë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike dhe po ndihem shumë mirë. E ndjejmë veten të barabartë që nga SHBA-të e deri në fund, si me vendosjen, me trajnime, me transporte.

“Bota sot”:  A është i gjatë shtegu?

Agim Pupovci: Shtegu është i vështirë për disiplinat e shpejta, sidomos pak më i shkurtër se në St. Morritz, kur u mbajt Kampionati Botëror. Ka teposhtëze të mëdha, vende ku ka kërcime, nuk ki gjasa me pushuar asnjë qindtën e sekondës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat