Ngjarja “Të vallëzojmë” mblodhi 32,175 Euro për nënat dhe fëmijët

Sociale

Ngjarja “Të vallëzojmë” mblodhi 32,175 Euro për nënat dhe fëmijët

Më: 24 shtator 2016 Në ora: 15:11
Pamje nga aktiviteti

Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë për të dytin vit me radhë bëri bashkë më shumë se 400 njerëz në ngjarjen për mbledhje të fondeve, të titulluar “Të vallëzojmë”, që u mbajt në Sheshin 21. Ngjarja, që tashmë është shndërruar në traditë, mbledh fonde për të përkrahur shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Shuma që u mblodh këtë vit përmes sponsorizimeve nga kompanitë dhe shitjes së biletave arriti në 32,175 euro, duke e bërë këtë nismë një sukses të madh, pasi u tejkalua shuma që u  mblodh në dhjetor 2015, kur u mbajt për herë të parë.

Sipas një njoftimi, të gjitha fondet e siguruara mbështesin drejtpërdrejt shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë dhe mundësojnë Aksionin për Nëna dhe Fëmijë që të vazhdojë furnizimin me medikamente e pajisje mjekësore, mbështesë programin e ndërtimit të transportit të foshnjeve dhe zgjerojë aktivitetet e qendrave informuese edhe në qytete të tjera – të gjitha këto duke kontribuar në uljen e shkallës së vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në Kosovë. 

Ngjarja “Të vallëzojmë” organizohet nga Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe Crimson Capital, dhe mbështetet nga RTV Dukagjini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat