Komuniteti LGBT vazhdon të jetojë me sfida

Sociale

Komuniteti LGBT vazhdon të jetojë me sfida

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 11:06
Ilustrim

Jeta e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual e transgjinor) në përgjithësi, në kryeqytetin e Kosovës, nuk duket të jetë e lehtë. Kjo për shkak të diskriminimit që i bëhet këtij komuniteti.

Kështu thonë vetë pjesëtarët e këtij komuniteti, duke treguar se shoqëria dhe familja, i diskriminon në momentin kur tregojnë për orientimin e tyre seksual.

Ndryshe, rreth 20 për qind e popullatës së përgjithshme në botë thuhet se kanë tendenca të orientimit homoseksual, lesbike, biseksual apo transgjinor.

Blerta, ndonëse ka lindur vajzë, ajo asnjëherë nuk është ndjerë e tillë. Me kohë ka kuptuar që ajo i përket komunitetit transgjinor. Ajo tashmë në rrethin e saj njihet si djalë, derisa flet për sfidat që përballet në jetë.

“Mendoj se kërkesa më të mëdha dhe tash për tash të parealizueshme janë ndërrimi i emrit dhe seksit biologjik si person transgjinor. Mendoj se këtu është problem kryesor, pasi nuk ofrohen kushte për tranzicionin. Mendoj se sfida më e madhe në gjithë komunitetin LGBT, është për personat transgjinor".

"Ndryshe, cilindo që e shikon është komunitet i diskriminuar. Shoqëria vetë i stigmatizon. Por çfarëdo intervenimi që kërkohet lidhur me transgjinorët, ne duhet të udhëtojmë jashtë vendit për të marrë shërbime. Andaj edhe organizatat që merren me të drejtat tona, janë duke e shqyrtuar mundësinë që kërkesat tona t’i shtyjnë përpara’’, tregon Blerta.

Agim Margilaj, i cili punon në njërën nga organizatat që mbron të drejtat e komunitetit LGBT, thotë se ndonëse Kosova gëzon një strukturë ligjore goxha të avancuar në krahasim me shtetet e rajonit, prapëmbetet me shoqërinë më homofobike në rajon, sipas studimeve që janë bërë në vitin 2015.

“Sipas studimit del se 81 për qind e komunitetit LGBT ka përjetuar dhunë psikike apo fizike, për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Andaj shoqëria nuk e pranon komunitetin LGBT në rrethin e vet. Por, këta jetojnë në çdo fushë të jetës. Duhet të kemi parasysh që gjithsecili mund të jetë pjesë e komunitetit LGBT”.

“Në Prishtinë komuniteti LGBT përballet me vështirësi prej ngacmimeve seksuale, dhunës dhe presionit në familje dhe njerëzve homofobik”, thotë Margilaj.

Në Kosovë janë tri organizata që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT. Këto kanë ngritur kapacitetet e veta që t’u ofrojnë ndihmë ligjore, në rast të shkeljes së të drejtave. Organizatat ofrojnë ndihmë ligjore , pra avokat falas, por edhe ndihmat psikosociale.

Në anën tjetër, për sfidat me të cilat përballet flet edhe një nga lesbiket, e cila thotë se problemet për orientim seksual, fillojnë pikërisht nga familja për të vazhduar jashtë shtëpisë:

“Komuniteti LGBT jeton në kushte mjaft të vështira në Kosovë. Ngacmimet i marrin fillimisht prej rrethit familjar, shoqërisë. Prej personave të ndryshëm jam atakuar, dhe unë mendoj se është gabim se të gjithë jemi njerëz, sikur të gjithë të tjerët kemi ndjenja".

Por, zyrtarë qeveritarë thonë se duhet ende punë në vetëdijësimin e popullatës për të drejtat që duhet t’i gëzojë komuniteti LGBT, pasi një gjë e tillë garantohet edhe me ligj, por edhe me Kushtetutë.

Habit Hajredini nga zyra për Qeverisje të Mirë në zyrën e Kryeministrit jep hollësi të tjera:

“Nuk duhet të jemi të kënaqur me atë çka kemi arritur. Na pret sfidë e madhe neve si institucione secilin dikaster si arsimimin, sigurinë, shëndetësinë, mirëqenien sociale. Por, aty ku duhet të punohet më shumë është se duhet ngritur vetëdija, pasi kemi nevojë t’i informojmë të gjithë qytetarët, familjarët, për të drejtat që i garanton ligji, Kushtetuta për politikat që i dedikojmë për të mirën e qytetarëve pa dallim”.

“Mendoj se është bërë pak në këtë drejtim. Unë edhe një herë ju garantoj se në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, që përkushtimi ynë dhe prioriteti që është vendosur për të punuar në fushën e të drejtave të komunitetit LGBT, do jetë me prioritet në vazhdimësi dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet edhe planin dy vjeçar për të drejtat e këtij komuniteti”, shpjegon Hajredini.

Në shkurt të këtij vitiështë promovuar një video-spot, dedikuar komunitetit LGBT, i quajtur ‘’Pantarei’’ për arsye të sensibilizimit të opinionit lidhur me të drejtat e këtij komuniteti.(REL)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat