Rrëfimi i Anilës pasi la qelinë: Vrava nënën që më birësoi e më rriti. E di që s’më fal, por dua të takoj babain

Sociale

Rrëfimi i Anilës pasi la qelinë: Vrava nënën që më birësoi e më rriti. E di që s’më fal, por dua të takoj babain

Më: 15 janar 2017 Në ora: 11:20
Anila Angjo

Anila Angjo, është një nga 9 gratë që lanë qelitë e burgut 325 në kryeqytet, pasi përfitoi nga amnistia.

Ndryshe nga të dënuarat e tjera, që liria iu dha gëzim dhe i ktheu në gjirin e familjes, për Anilën e shtuna e 14 janarit, solli trishtim. Vajza që 7 vite me parë, vrau nënën e saj birësuese në shtëpinë e tyre në Pogradec, pas një debati të ashpër mes te dyjave, ka mbetur e vetme në mes të katër rrugëve dhe në mëshirë të fatit. 

Prej ditës që kreu krimin e rëndë, Anila u braktis edhe nga babai birësues, një ish-ushtarak, për të cilin ajo thotë që nuk di nëse jeton më. Ajo thotë se 7 vitet e qëndrimit prapa hekurave ishin një ferr i vërtetë për të. Anila gjeti pak ngrohtësi vetëm nga stafi i burgut, si dhe disa shoqata kristiane që u kujdesën për të duke i dhuruar rroba. Por, nuk kishte kujt t’i bënte qoftë dhe një telefonatë, dhe askush nuk e takoi atë qoftë dhe një herë të vetme. 

Me lot në sy Anila tregon se prindërit e saj të vërtetë nuk i njohu kurrë, ndërsa familjen që e birësoi që kur ishte dy vjeç, e shkatërroi në momentin kur një moment depresioni, qëlloi për vdekje nënën. E penduar thellësisht për krimin, Anila bën thirrje babait birësues, që nëse jeton ende, të pranojë të takohet me të, edhe pse e di që kurrë nuk do të marrë falje prej tij. 

Teksa kapërcen dyert e burgut të grave, mes përqafimesh me stafin e burgut, Anila Angjo i bën thirrje institucioneve që ta ndihmojnë për një strehë ku të fusë kokën, dhe një punë për të siguruar bukën e gojës.  Dy netët në vijim Anila do të strehohet në Pogradec në një shoqatë kristiane, e mandej fati i saj, nuk dihet si do të shkojë. BalkanWeb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat