7 Marsi ndryshe i ish-mësueses në qeli, u mësoi të burgosura shkrim e këndim

Sociale

7 Marsi ndryshe i ish-mësueses në qeli, u mësoi të burgosura shkrim e këndim

Më: 7 mars 2017 Në ora: 17:55
Rrefimi i mesueses

Sot ajo duhej të festonte me nxënësit e saj, por ky 7 Mars trokiti ndryshe. Pak vite më parë Ela (kështu preferon ta quajnë) ishte mësuese e ciklit fillor në Shkodër, por aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun 325 për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Në këtë rrëfim, 52-vjeçarja e dënuar me 6 vjet burg tregon sesa i mungojnë nxënësit e sesi ka gjetur veten duke i dhënë njohuri grave të dënuara që s’dinë të shkruajnë.

Ela, për çfarë vepre penale je dënuar?

Unë jam dënuar 6 vjet, ndërsa në burg kam 2 vite. Jam dënuar për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, një dënim i padrejtë për mua.

Para se të dënoheshit ju keni qenë mësuese. . .

Po, pak kohë kam qenë mësuesë. Në mënyrë humane kam dhënë mësim edhe jashtë, në një sektor tjetër: të motrave që vinin në Shqipëri për të ndihmuar të varfrit, me murgeshat dhe me priftërinjtë.

Të mungon profesioni i mësuesit?

Më mungon sepse është një gjë shumë e bukur, po çfarë të bëjmë. . .

Po nxënësit a të mungojnë?

Më mungojnë, por do t’i përshtatemi kushteve.

Ju sot, në shenjë urimi morët një tulipan. A është i mjaftueshëm ai për t’ju uruar festën e 7 Marsit?

Për pozicionin që jam është i mjaftueshëm. Në çdo moment, në çdo kohë do t’i përshatesh ambientit ku je. Jeta në komunitet është shumë e vështirë.

Ti sot ushtron profesionin tënd brenda qelive të burgut. Përse?

Kur erdha këtu unë u ofrova thjesht në mënyrë humane për këto vajza që nuk dinin të shkruanin as emrin e tyre e nuk dinin sa bëjnë 1+1. Unë thjesht, meqënëse edhe drejtoresha e institucionit kishte dëshirë, dhashë kontributin, për aq sa mundem.

Si ndjeheni që ju keni dhënë njohuri këtyre vajzave, të cilat nuk kanë patur mëndësi të shkollohen?

Është një kënaqësi shumë e madhe shpirtërore. Ato kanë edhe fëmijë sepse janë në moshë të madhe dhe nuk dinë si t’i shkruajnë fëmijës së vet emrin. . . Është shumë emocionale. Sinqerisht, ditët e para jam emocionuar shumë, por avash-avash kanë mësuar të lexojnë e të shkruajnë dhe ato ndjehen mirë me mua.

A ke një urim për mësuesit?

Ju uroj dhe të gjitha grave dhe mësuesëve 7-8 Marsin. Unë jam edhe nënë dhe gjyshe, kam 3 fëmijë: 2 goca dhe një çun. Unë nuk kam bërë asgjë, por këtu thjesht nuk funksionon drejtësia. Megjithatë ne çdo ditë kërkojmë të drejtën tonë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat